
Moti i keq ka shkaktuar probleme të shumta në rajone të ndryshme të Italisë, duke goditur veçanërisht zonat malore të Massa Carrara dhe Vicenza.
Reshjet intensive të shiut dhe erërat e forta të mbrëmjes së djeshme kanë sjellë rrëshqitje dheu dhe izolim të fshatrave të tërë.
Situata më e rëndë paraqitet në zonën e Montignoso, konkretisht në fshatin Vietina, ku një rrëshqitje dheu në via Buffoni ka bllokuar plotësisht qarkullimin. Autoritetet lokale kanë aktivizuar menjëherë procedurat e emergjencës për të pastruar rrugën dhe për të rikthyer aksesin në fshat, i cili aktualisht është i izoluar.
Ndërkohë, një ngjarje tragjike ka ndodhur në Valdagno, në provincën e Vicenzës, ku një makinë me dy persona, babë e bir, ra në një gropë që ishte krijuar për shkak të rrëshqitjes së dheut pranë një ure.
Mjeti përfundoi në përroin Agno dhe u zhyt në një pellg të madh uji në zonën Trissino. Pas kërkimeve të natës nga zjarrfikësit e Viçenzës, trupi i njërit prej viktimave është gjetur brenda në makinë, ndërsa kërkimet për personin tjetër vazhdojnë.
Autoritetet mbeten në gatishmëri, ndërsa priten përkeqësime të mëtejshme të motit në orët në vijim.
Top Channel