Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte në Kamëz ku prezantoi kandidatët e ‘PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore’, për zgjedhjet e 11 majit.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati hodhi akuza ndaj qeverisë, duke thënë se ‘ministret kapardisen si sulltanesha me ‘xhingla mingla’.

Kryeministri nuk do udhëtojë më me avion në dispozicion. Nuk do shpenzojë 21 milionë euro për vakanca e udhëtime, por do udhëtojë si qytetarët e tjerë, do të udhëtojë siç është e vërteta edhe kryeministra të vendeve që janë shumë më të pasura se Shqipëria.

Kryeministri nuk do mund të blejë Kopshtin e Edenit në oborrin e kryeministrisë për të zbavitur sytë e tij 5 milionë euro, 30 e sa mijë pensione. Nuk do mund të zhdukë 130 milionë euro për djegësin, 812 mijë pensione. Nuk do mund të hapë shishen e verës 33 mijë euro. Miq, nuk kam dëgjuar kurrë një kryeministër që hap një shishe të tillë verë. Edhe po t’i ketë dhe të jetë miliarder, ai për kohën që është në detyrë, ruan etikën e atyre që përfaqëson.

Kurse këta janë shndërruar në një grup që nga mëngjesi gjer në darkë ndajnë pasuritë me veten e tyre, me familjarët e tyre. Merrni Edi Ramën, sa ka prej jush pa u legalizuar. A e dini ju se ka ndërtuar shtëpinë në tokë të ndaluar, në kundërshtim me ligjin? Ka legalizuar shtëpinë e tij në kundërshtim me ligjin.

A e dini ju se në qoftë ti ke ndërtuar shtëpinë duke të shkuar djersa çurg, duke punuar me duart e tua, zotëria e tij ka ndërtuar sarajet dyfishin e themeleve në gjatësi në krahasim me vilën e Enver Hoxhës. Por në dallim, Enver Hoxha, diktatori më gjakësor, vilën nuk e regjistroi as në emër të tij, as të fëmijëve të tij. Kurse ky e ka në emër të vet. Enver Hoxha e kishte oborrin 2 mijë metra, 8300 metra e ka sulltani i Surrelit.

Po ku i gjeti këto para ky? Ky që thotë, meqenëse jam dy metra i gjatë, nuk mund të vjedh. Po jo mo, ky ka dorën më të zezë, më të gjatë të vjedhjeve në historinë e Shqipërisë.

Po si mundet këto ministre, që duhet të jenë shembulli etik i thjeshtësisë, i shërbëtores së qytetarëve, të kapardisen si sulltanesha me xhingla mingla që kushtojnë dhjetëra mijëra euro? Nga i gjejnë këto? Me rrogën e vet, absolutisht këto nuk blihen. Pra, këta vjedhin, vjedhin dhe vetëm vjedhin.”, tha Berisha.

Top Channel