Bashkëpunimi ekonomik, shtatë vende të Ballkanit takohen në Abu Dhabi! Organizimi nga dhoma e tregtisë dhe këshilli i biznesit shqiptar

18/04/2025 16:15

7 vende të Ballkanit bashkohen në Abu Dhabi.

Dhoma e Tregtisë e Abu Dhabit dhe Këshilli i Biznesit shqiptar në Abu Dhabi mirëpritën përfaqësues të lartë institucionalë dhe sipërmarrës nga vendet e Ballkanit në aktivitetin “Abu Dhabi & Balkan Matching – Networking Event”.

Ky takim synoi nxitjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Emirateve të Bashkuara Arabe dhe rajonit, duke krijuar ura të reja partneriteti dhe mundësi konkrete për investime dhe zhvillim të përbashkët.

“Jam shumë entuziast për vizitën e sotme të delegacionit nga Ballkani. Si përfaqësues i Dhomës së Tregtisë së Abu Dhabit, dua të theksoj rëndësinë që i japim tregtisë dypalëshe dhe ndërtimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Forcimi i lidhjeve ekonomike mes vendeve tona është një nga shtyllat kryesore të strategjisë ekonomike të Abu Dhabit, dhe ne shohim një potencial të madh për bashkëpunim dhe zhvillim të ndërsjellë. Marrëdhëniet mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Ballkanit janë rritur ndjeshëm që nga viti 2019. Kjo tregon qartë një partneritet gjithnjë e më të fortë, veçanërisht me Shqipërinë”, tha H. E Shamis Ali Al Dhaheri- Dhoma e Tregtisë, Abu Dhabi.

Nën drejtimin organizativ të një gruaje shqiptare, Valentina Markut, Këshilli i biznesit shqiptar në Abu Dhabi e shënon këtë event një hap të rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shqipërisë veçanërisht duke shkuar drejt ndërtimit të një të ardhme më të mirë të bazuar në bashkëpunim dhe inovacion.

“Është një oportunitet shumë i madh. Kemi shumë mundësi bashkëpunimesh investimesh. Ballkani për Abu Dhabin është i rëndësishëm. Kemi 38 kompani pjesëmarrëse te pjesa e ndërtimit, telekomunikacionit, pjesa e solareve. Unë jam krenare që jam president e “Albanian Bussines Council në Abu Dhabi”, janë 23 në gjithë botën dhe unë kam për herë të parë këtë pozicion që jepet për Shqipërinë. Tashmë Abu Dhabi ka një marrëdhënie jo vetëm biznesi por edhe vëllazërore, e kanë treguar në shumë fonde dhe oportunitete të dhëna”, u shpreh Valentina Marku- presidente ‘Këshilli i biznesit shqiptar në Abu Dhabi’.

Gjatë aktivitetit fokusi ishte krijimi i kontakteve të drejtpërdrejta midis bizneseve, prezantimi i mundësive të reja në sektorët strategjikë, si dhe shkëmbimi i përvojave dhe ideve që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të të dyja palëve.

“Abu Dhabi ka nisur një iniciativë ambicioze për t’u shndërruar në një qeveri plotësisht të drejtuar nga inteligjenca artificiale deri në vitin 2027. Gjatë këtij procesi, e konsiderojmë thelbësore ndihmën, mbështetjen dhe partneritetet me vendet e Ballkanit. Vizionin tonë e kemi të fokusuar në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve publike, duke e bërë Abu Dhabin një qytet më të zgjuar, më të shpejtë, më efikas dhe më fleksibël për të ardhmen”, deklaroi H. E Shamis Ali Al Dhaheri- Dhoma e Tregtisë, Abu Dhabi.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta