
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Mestre, Itali, ku një grua 32-vjeçare italiane është rrëmbyer dhe përdhunuar në një ndërtesë të braktisur në zonën qendrore të qytetit.
Ngjarja ndodhi më 16 prill, rreth mesditës, në godinën e vjetër të ish-Telekomit, pranë via Carducci dhe piazzale Donatori di Sangue.
Viktima u gjet pa rroba dhe në gjendje shoku nga kalimtarë të rastësishëm, në rrugën via Meucci, jo shumë larg vendit të ngjarjes. Ajo u shpreh se kishte qenë aty për disa ditë. Menjëherë u dërgua me ambulancë në spitalin dell’Angelo, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore dhe psikologjike.
Policia lokale dhe karabinierët, pas mbledhjes së dëshmive dhe kontrollit të kamerave të sigurisë në zonë, identifikuan një shtetas tunizian rreth 40 vjeç si autorin e dyshuar të sulmit. Fillimisht ai u ndalua për hetime, por pas disa orësh, provat laboratorike dhe pamjet filmike çuan në arrestimin e tij dhe dërgimin në burg.
Mjekët po vazhdojnë analizat për të verifikuar nëse bëhet fjalë për një përdhunim të kryer nga më shumë se një person. Për momentin, autoritetet janë duke hetuar për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
Ndërtesa ku ndodhi ngjarja është e njohur si një vend i braktisur dhe shpesh i përdorur nga të pastrehët dhe endacakët. Banorët dhe tregtarët e zonës kanë kërkuar prej kohësh ndërhyrje, duke e quajtur këtë vend një “vrimë të zezë” në zemër të qytetit, shumë pranë muzeut M9 dhe bibliotekës Vez.
Megjithëse policia lokale ka evakuuar dhe mbyllur hyrjet e godinës disa herë, përdorimi i paligjshëm i saj ka vazhduar. Tashmë po shqyrtohen projekte për rikthimin në funksion të ndërtesës, ndoshta si hapësirë për universitetin Ca’ Foscari.
Pas kësaj ngjarjeje, Presidenti i Rajonit të Venetos, Luca Zaia, reagoi me zemërim dhe solidaritet për viktimën. Ai falënderoi qytetarët që ndihmuan duke njoftuar policinë, e cila arriti të ndërhyjë në kohë. Zaia kërkoi ndëshkimin maksimal për autorin, duke theksuar se shoqëria nuk duhet të mësohet me krime të tilla dhe se të gjithë duhet të bashkëpunojnë për të parandaluar dhunën.
Top Channel