Turi i presidentit të Kinës/ Xi i bën thirrje vendeve aziatike: Rezistoni konfrontimin gjeopolitik në mes të luftës tregtare me SHBA

16/04/2025 17:32

Presidenti i Kinës, Xi Jinping u bëri thirrje sot vendeve aziatike të bashkohen për t’i rezistuar konfrontimit gjeopolitik, unilateralizmit dhe proteksionizmit, pasi presidenti kinez synon të krijojë lidhje me disa nga fqinjët më të afërt të Kinës, në mes të përkeqësimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

Ky turne, i cili filloi në Vietnam dhe do të përfundojë në Kamboxhia, vjen ndërsa Pekini përpiqet të organizojë një përgjigje të koordinuar ndaj luftës tregtare të nisur nga presidenti amerikan Donald Trump dhe sipas analistëve, vizitat shtetërore të Xi synojnë të forcojnë rolin e Kinës si një partner i besueshëm dhe “jo hegjemonist”.

Xi u prit sot nga mbreti i Malajzisë Sulltan Ibrahim në Pallatin Istana dhe më pas u takua me kryeministrin Anwar Ibrahim.

Dy vendet ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme, tha Xi pas nënshkrimit të 31 marrëveshjeve me kryeministrin malajzian. Marrëveshjet mbulojnë sektorë që variojnë nga tregtia, teknologjitë në zhvillim, turizmi deri te transporti hekurudhor dhe bujqësia.

“Përballë trazirave në rendin aktual ndërkombëtar dhe globalizimin ekonomik, të dy kombet tona do të qëndrojnë të bashkuar me vendet e tjera në rajon për t’i rezistuar së bashku rrymave nëntokësore të konfrontimit gjeopolitik, për të shkuar kundër rrymave të unilateralizmit dhe proteksionizmit dhe për të mbrojtur perspektivat premtuese të zhvillimit në shtëpinë tonë të përbashkët aziatike”, tha presidenti kinez.

Top Channel

BIG BROTHER BIG BROTHER - Portokalli - AG SHOW - Bileta