
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama prezantoi vizionin për sportin në “Shqipëri 2030”, duke treguar përpara mbështetësve të tij investimet strategjike në këtë sektor, mbështetjen për sportin si dhe nxitjen e një kulture të re sportive në vend.
“Dua ta filloj duke thënë që jo vetëm kjo pamje, por e gjithë panorama e sportit është ndryshe. Ne kemi sot afro 400 palestra në Shqipëri. Sot janë 12 mijë fëmijë që janë të angazhuar në lëvizjet sportive nëpër shkolla, që janë baza për ekipet zinxhir. Por më shumë se kaq, janë baza për një kulturë të re sportive, duke filluar nga shkolla ne duhet ta rrisim këtë numër, të rrisim numrin e disiplinave sportive. Duhet që në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Shqiptare, që ka qenë kyç në të gjithë këtë transformim, të kuptojmë se si mund të ndërtohen nuklet për mundjen, peshëngritjen, apo disiplinat e tjera deri te shahu. Duhet të rrisim numrin e trajnerëve dhe të përmirësojmë metodologjinë. Unë jam i bindur që gjithë kjo bazë do të na japin kënaqësi, kur këta fëmijë të arrijnë në nivelin kompetitiv. Natyrisht që unë, mbase jam nostalgjik, unë nuk pres të rilindë Gaz Çaçi, se kjo do jetë pak e vështirë, por Pjerin Bushati patjetër që do të rilindë. Nuk e dimë se kush do e pasojë Pjerinin, por si ai do kemi.
Infrastruktura ka shumë nevojë.. ne kemi çuar projektet për tre stadiumet e reja, Vlora, Korça dhe Durrësi. Të trija do të zhvillohen si stadiumi Kombëtar. Ndërkohë, kemi filluar procesin për Pallatin e Sportit, që duhet të transformohet në një pallat sporti që të mirëpresë finale të nivelit të lartë ndërkombëtar. Në fund fare, se s’dua t’ju lodh shumë, besoj se nuk mund të rrimë në vendnumëro vetëm me një pistë atletike, por duhet të gjejmë rrugë alternative, në bashkëpunim me Federatën e Atletikës, sepse është mbretëresha e sporteve, atletika është kyç. Shpresoj të gjejmë një mënyrë që përmes Komitetit Olimpik ta mbështesim atletikën, që dhe ajo të hyjë në disiplinën në shkolla”, tha Rama ndër të tjerat.
Top Channel