
Agjentët e FBI-së dhe Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së kanë bastisur së fundmi dy rezidenca në pronësi të Xiaofeng Wang, një profesor i njohur kinez dhe ekspert i sigurisë kibernetike në Universitetin e Indianës.
Ngjarja ka tronditur komunitetin e qytetit universitar Bloomington, veçanërisht komunitetin aziatik.
Profesor Wang u mor në pyetje në dhjetor nga universiteti për dyshime mbi marrjen e fondeve të padeklaruara nga Kina për një projekt që gjithashtu kishte financim federal amerikan.
Në të njëjtën ditë me bastisjen, ai u pushua nga puna nëpërmjet një emaili – një veprim që bie ndesh me procedurat standarde të institucionit.
Megjithatë, Wang nuk është akuzuar për asnjë vepër penale dhe, sipas avokatit të tij, nuk ka asnjë akuzë në pritje ndaj tij apo bashkëshortes së tij, e cila punonte si analiste bibliotekash në të njëjtin universitet.
Ngjarja ka shkaktuar frikë mes profesorëve dhe studentëve kinezë, të cilët shprehin shqetësim për mundësinë e ndëshkimeve të ngjashme, në një klimë politike gjithnjë e më armiqësore ndaj Kinës.
“Kam dëgjuar profesorët kinezë të flasin për frikën se diçka e tillë mund t’u ndodhë edhe atyre,” tha një student kinez i doktoraturës që kërkoi të mbetej anonim.
Frikë nga rikthimi i profilizimit racor
Gjatë administratës së parë të Donald Trump, Departamenti i Drejtësisë kishte nisur “Iniciativën e Kinës” për të hetuar ndikimin e dyshuar të spiunazhit kinez në akademi, por programi u kritikua gjerësisht për profilizim racor dhe u ndërpre në 2022 nga administrata Biden.
Por me rikthimin e retorikës së ashpër ndaj Kinës nga Trump në fushatën e tij të re, ekspertët dhe akademikët janë të shqetësuar për një rikthim të kësaj qasjeje.
Gang Chen, profesor në MIT dhe ish-i akuzuar në mënyrë të ngjashme, e konsideroi rastin e Wang “thellësisht shqetësues”.
“Universiteti i Indianës e pushoi atë dhe gruan e tij pa proces të rregullt, duke supozuar fajësinë në vend të pafajësisë,” theksoi ai.
Efekte të mëdha në komunitetin studentor kinez
Universitetet në zonat qendrore të SHBA-së, si Indiana, janë ndër institucionet që përfitojnë më shumë nga prania e studentëve ndërkombëtarë – veçanërisht atyre nga Kina. Vetëm në Universitetin e Indianës regjistrohen çdo vit rreth 2000 studentë nga Kina, të cilët kontribuojnë ndjeshëm në ekonominë lokale.
“Jam i shqetësuar për armiqësinë politike ndaj Kinës dhe ndikimin që mund të ketë kjo në statusin tim si student,” tha një tjetër student kinez.
Megjithëse shqetësimet për ndërhyrjen kineze në institucionet arsimore amerikane nuk janë të pabazuara – siç tregojnë disa raste të mëparshme dhe raportet e inteligjencës – shumë ekspertë paralajmërojnë kundër përgjithësimeve dhe frikës që mund të largojë talentet nga vendi.
Për momentin, faqja e profilit të Wang është hequr nga uebsajti i universitetit dhe zyrtarët nuk kanë komentuar publikisht për rastin. Ndërkohë, avokati i tij ka theksuar se klientët e tij “presin me padurim të pastrojnë emrat e tyre dhe të rifillojnë karrierën e tyre”.
Top Channel