Fqinja e denoncoi për “lajme të rreme” mbi ushtrinë, parukierja ruse dënohet me mbi 5 vite burg

16/04/2025 07:22

Një parukiere dhe nënë e dy fëmijëve, Anna Alexandrova, është dënuar me pesë vjet e dy muaj burg nga një gjykatë në qytetin Pushkin, pas akuzave për përhapjen e “lajmeve të rreme” në rrjetet sociale mbi ushtrinë ruse.

Autoritetet pretenduan se Alexandrova kishte shpërndarë tetë mesazhe kundër luftës në Ukrainë përmes llogarive anonime në rrjetin social rus VKontakte. Ajo vetë mohoi çdo përfshirje, duke deklaruar se çështja kishte rrënjë në një konflikt të mëhershëm për pronën me një fqinje.

Sipas raportimeve të BBC, fqinja e saj e denoncoi pas një debati të ndezur për një tokë në lagjen Korpikyulya, duke pretenduar se Alexandrova i kishte dërguar vajzës së saj imazhe të luftës në Ukrainë. Ky denoncim çoi në hetim nga prokuroria, dhe më pas në një vendim të ashpër gjyqësor.

Avokatja e saj, Anastasia Pilipenko, deklaroi se “ngjarja filloi si një konflikt shtëpiak dhe përfundoi në një dënim penal të rëndë vetëm pas përfshirjes së akuzës për ‘lajme të rreme për ushtrinë’”.

Ligji për “diskreditimin e forcave të armatosura” dhe përhapjen e “informacionit të rremë” mbi ushtrinë ruse është vendosur në fuqi menjëherë pas pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, dhe që nga ajo kohë është përdorur gjerësisht për të goditur disidencën dhe zërat kritikë.

Dënimi i Alexandrova-s përfshin gjithashtu ndalimin e postimit të çdo materiali në rrjetet sociale për tre vite pas lirimit nga kolonia penale ku do të vuajë dënimin.

Ky rast është vetëm një nga dhjetëra të ngjashëm që kanë tronditur opinionin publik, përfshirë edhe burgosjen e katër gazetarëve rusë këtë javë për “bashkëpunim me organizata ekstremiste” të lidhura me opozitarin e ndjerë Alexei Navalny.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta