
Ish presidenti amerikan Joe Biden komentoi për herë të parë që prej largimit nga Shtëpia e Bardhë politikat e pasardhësit të tij Donald Trump, për të cilin pati vetëm kritika.
“Mbetesh pa frymë kur sheh se sa shumë ka shkatërruar Trump në më pak se 100 ditë. Vendi nuk ka qenë kurrë kaq i ndarë”, u shpreh Biden në një konferencë në Çikago për personat me aftësi të kufizuara, teksa kritikoi veçanërisht shkurtimet masive të administratës Trump për agjencinë e pensioneve “Social Security”. Ndër të tjera, ajo është përgjegjëse për shpërndarjen e pensioneve shtetërore për 68 milionë përfitues.
“Ata në fillim qëllojnë, pastaj marrin në shënjestër. Brenda një kohe të shkurtër janë bërë shumë dëme dhe shkatërrime. Ata po i presin sigurimet shoqërore me sëpatë dhe po shkarkojnë 7000 nëpunës civilë, mes tyre edhe ata më me përvojë, në një kohë që sigurimet shoqërore duhet të mbrohen për të mirën e të gjithë kombit”, tha Biden.
Nuk bëhet fjalë vetëm për pensionet e pleqërisë. “Kjo ka të bëjë edhe me ruajtjen e marrëdhënies bazike të besimit mes shtetit dhe popullit”, u shpreh demokrati Biden.
Në fjalimin e tij, Biden u shpreh mjaft i zhgënjyer edhe për polarizimin brenda popullit amerikan: “Unë merrem me këtë për një kohë shumë të gjatë,” tha Biden, dhe asnjëherë vendi “nuk ka qenë kaq i ndarë”.
Top Channel