
Është vetëdorëzuar në Policinë e Fierit Melisa Hoxhallari, e cila ishte arratisur së bashku me bashkëjetuesin e saj pas plagosjes së babait të fëmijës së saj Glefian Hoxhallari.
Ky i fundit u plagos nga partneri i ish-gruas mbrëmjen e së dielës së 5 janarit në një lokal pranë vendit të quajtur “Zogu i Zi” në Fier dhe mbet në gjendje të rëndë.
Burime nga Policia e Fierit bëjnë me dije se Melisa Beluli Hoxhallari, është vetëdorëzuar në polici mbrëmjen e djeshme e shoqëruar nga avokati i saj.
Ajo ka pohuar se gjatë gjithë kësaj kohë ka qenë e fshehur në Krujë, ndërsa nuk ka dhënë asnjë detaj se ku mund të ndodhet i dashuri i saj Klement Beqaj, i cili është në kërkim.
Aktualisht 29-vjeçarja ndodhet në ambientet e paraburgimit deri në daljen e saj para togave të zeza.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Kundër Personit ndaluan shtetasen e shpallur në kërkim M. H., 29 vjeçe, pasi Gjykata e Fierit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Më datë 05.01.2025, në lagjen “Apollonia”, dyshohet se shtetasi K. B. (aktualisht në kërkim), në bashkëpunim me 29-vjeçaren, plagosi me armë zjarri, shtetasin G. H., 40 vjeç“-njofton policia.
Top Channel