
Gjykata e Tiranës shtyu seancën paraprake ndaj Elidon Kotorrit, një personazh i njohur i krimit gjatë vitit 2000 dhe që pasi ka mbyllur llogaritë me drejtësinë për vrasje të 3-fishtë, prokuroria e ka dorëzuar të akuzuar për dy akuza të tjera.
Siç gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, gjatë gjyqit paraprak gjykata ka konstatuar se përveç akuzës së kundërshtimit të policisë prokuroria e Tiranës i ka ngritur akuzën e arratisjes nga vendi i dënimit.
Për shkak se gjykata ka vendosur bashkimin e të dyja dosjeve që do t’i gjykojë në të njëjtën seancë paraprake, prokurori kërkoi kohë të njihet me akuzën e dytë të hetuar nga një prokuror tjetër tha gazetarja Anila Hoxha.
Pasi mbylli dënimin me 25 vite burgim për vrasjen e Andi Hasanit, Sokol Alushit dhe Gazment Zenelit, Kotorri la burgun në 2019. Ndërsa më herët i kishte shpëtuar burgut të përjetshëm pasi Strasburgu gjeti shkelje gjatë gjykimit të 50 vjeçarit.
Por në vjeshtën e 2024 pasi një e afërme e tij njoftoi policinë për konflikt mbi pronën, Eldion Kotorri nuk pranoi të shoqërohej në komisariat dhe për këtë arsye policia e arrestoi dhe i referoi dosjen në prokurori për kundërshtim. Gjykata e liroi duke i ndryshuar masën nga burg në arrest shtëpiak.
Siç rezulton më pas prokuroria e Tiranës hapi një hetim të dytë ndaj Elidon Kotorrit pasi u gjet jashtë banesës dhe u konstatua se e kishte thyer arrestin shtëpiak. Në të njëjtën kohë Kotorri u hetua për dy akuza, duke ju dorëzuar gjykatës penale për dy akuza që u bashkuan në një të vetme nga gjyqtari paraprak, i cili pritet të vendosë ta kalojë në gjykim themeli.
Në seancën paraprake ishte i pranishëm edhe Elidon Kotorri që tanimë është nën masën arrest në burg, raporton Anila Hoxha.
Top Channel