Sot, një qëndrim i Kryeministrit që përmendi Big Brother-in në një deklaratë politike mund të tingëllojë si një koment i thjeshtë. Por fakt është: një epokë tjetër po vjen.

Ky observim është tregues i një realiteti më të madh dhe më të thellë: politika shqiptare nuk ka më as zgjidhje, as zgjedhje tjetër, veçse të zhvendoset nga strukturat tradicionale drejt territoreve të reja të ndikimit – dhe mediat janë ndër to më të fuqishmet.

Shqipëria mund të jetë ndër të fundit që e pranon këtë prirje, por Edi Rama është ndër të parët që e ka kuptuar dhe e ka kthyer në një avantazh.

Në mbarë botën, politika po ndikohet gjithnjë e më shumë nga figura që kanë kaluar fillimisht përmes ekraneve dhe rrjeteve sociale, për t’u bërë më pas liderë institucionalë. Donald Trump, Volodymyr Zelensky, Javier Milei – të gjithë u formësuan më shumë nga sistemi i perceptimit publik sesa nga sistemi klasik politik.

Në këtë kontekst, përmendja e Big Brother-it nga Kryeministri nuk është thjesht një batutë. Është një konfirmim i qartë, me vetëdije të plotë, se loja ka ndryshuar.

Qytetari që dikur përfshihej në politikë vetëm ditën e votimit, sot ndikon çdo ditë – përmes komenteve, ndjekjeve, televotimit dhe ndjeshmërisë kolektive që ndërtohet para ekranit.

Big Brother VIP nuk është më vetëm një reality show. Është një barometër emocional i shoqërisë.
Aty ku debatet ndodhin në kohë reale, ku krizat personale bëhen reflektim publik, dhe ku publiku ka një zë që nuk mund të injorohet – as nga mediat, as nga politika.

Në vend që ta analizojmë këtë fenomen me ironi apo me ndarje klasike mes “triviales” dhe “seriozes”, ndoshta është koha të pranojmë se po hyjmë në një fazë të re të ndërveprimit publik – ku ndikimi nuk matet më vetëm me vota, por me emocion, përfshirje masive dhe viralitet.

Nëse politika sot referon, shfrytëzon dhe e ka Big Brother-in në fjalorin e saj politik, është sepse publiku ka nisur ta ndjekë politikën përmes rrugëve të reja. Dhe kjo, më shumë se çdo sondazh, është tregues i qartë i drejtimit të së ardhmes.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta