
Sali Berisha është ndalur sot në qytetin e Vlorë ku ka prezantuar kandidatët e tij për zgjedhjet e 11 majit, si dhe ka prezantuar programin e tij që sipas kreut të PD, do të jetë fitues.
Berisha i falënderoi vlonjatët, pasi sipas tij Edi Rama nuk kandidati më në Vlorë, sepse “e përzunë”.
“Ju përshëndes që e përzutë, nuk guxoi të kandidojë më në Vlorë dhe kjo është një fitore morale”, tha Berisha.
“Çdo pensionist, çdo qytetar me rrogë të ulët që nuk do jetë më kurrë nën 500 euro, çdo i papunë, çdo njeri në ndihmë ekonomike, do ketë kartën e konsumatorit. Me të do blejë ushqimet dhe gjërat bazë 20 përqind më lirë.
Një pakt me ju sonte dhe me të gjithë shqiptarët, nuk mundet që për 4 vite të arrijmë mirëqenien e kombeve të pasura.
Por një do ta arrijmë brenda 4 muajve, listën e ilaçeve që marrin italianët, të financuar nga shteti, do ta marrë çdo shqiptar. Le të kushtojë sa të dojë. Shteti i shqiptarit do kushtojë sa shëndeti i gjermanit, sa shëndeti i italianit, sa shëndeti i çdo evropiani.
Do u kthejmë njerëzve shpresën. A e dini miq se çfarë gjendje e paimagjinueshme nga ju është sot në spitalet tona?
A e dini ju se për shkak të vjedhjeve të tmerrshme që bëhen me PPP-të, dhjetë ditët e fundit të muajit në spitalet shqiptare nuk bëhen analiza? Një vend me 8 miliardë euro buxhetin nuk ka një Pet-skaner dhe mijëra qytetarë detyrohen të shkojnë tek privati për të bërë një analizë që duhet ta bënin falas tek shteti.
Çfarë ndodh në Vlorë? Pas 12 vitesh, për të treguar se çarë shpirti ka, 12 vite më parë ndërtuam impiantin e pastrimit të ujërave të zeza. 12 vite me radhë i derdhi në det dhe nuk funksionon impianti se nuk paguajnë energjinë elektrike. Këta janë hajdutë pa kurrfarë norme. 12 vite, çdo verë dhe pranverë e mbulojnë Vlorën me helme dhe tyme helmuese sepse vjedhin paratë e landfillit të Vlorës. Mafia e plehrave me në krye Edi Ramën shtriu tentakulat e tij në Vlorë.
Miqtë e mi, kjo situatë merr fund. PD është e vendosur me aleancën e vet, sikundër paratë e buxhetit, paratë e taksave tuaja, t’ua ktheja para së gjithash dhe mbi të gjithash ju dhe vetëm ju, pasuritë publike t’ua kthejë ju në pasuritë tuaja dhe të mirëqenies tuaj.
Shikoni miq çfarë bëjnë. Janë 36 fshatra në Lumin e Vlorës dhe përreth dhe shkojnë tani t’ua marrin ujin, t’i kthejnë në shkretëtirë. Kurrë nuk do merret uji i tyre. Dhe unë paralajmëroj Edi Ramën, hiq dorë se në mënyrë absolute, 1 litër ujë prej tyre nuk do marrësh dot.
Do të dërgosh ujë ti në Dhërmi, ja ku i ke, derdhen në det mijëra metër kub ujë i ëmbël i cilësisë së parë. Merre me pompa, mbushi pompat dhe dërgoji. Po si do ua marrësh ti 34 fshatrave ujin? A e kupton ti se uji është jeta e tyre. Pa ujë ata duhet të largohen. Merr fund kjo! Miqtë e mi, ky regjim është regjim i të keqes dhe ne do ndahemi me të më 11 maj!”, tha ai.
Top Channel