Francë, Parisi dëbon 12 punonjës të konsullatës algjeriane

15/04/2025 22:24

Kriza diplomatike mes Francës dhe Algjerisë është ndezur sërish, pas vetëm 15 ditësh qetësie, Presidenti francez Emmanuel Macron vendosi sot të dëbojë dymbëdhjetë punonjës te konsullatës algjerianë, në përgjigje të një mase të ngjashme të marrë nga Algjeri, i cili akuzohet nga Parisi për këtë “përkeqësim të ri të dhunshëm” të marrëdhënieve.

Macron, i cili kishte folur me telefon më 31 mars me homologun e tij algjerian Abdelmadjid Tebboune me qëllim rifillimin e dialogut mes tyre, vendosi gjithashtu të tërheqë për konsultime ambasadorin francez në Algjeri, Stéphane Romattet, njoftoi Elysee.

Të dielën, autoritetet algjeriane shpallën ‘non grata’ 12 punonjës të Ministrisë së Brendshme franceze dhe u dhanë atyre 48 orë kohë për t’u larguar nga vendi. Kësaj i ka paraprirë arrestimi, në Francë, i një punonjësi në një konsullatë algjeriane.

Fillimisht Macron u përpoq të merrte kohë, por duke parë që Algjeri nuk po e kthente vendimin e tij, vendosi se duhej të tregonte se as ai nuk tërhiqej. Dëbimi i 12 francezëve, të cilët sonte janë nisur për në Francë, “është i pajustifikuar dhe i pakuptueshëm”, komentoi presidenca franceze.

Parisi mori kështu kundërmasa “simetrike”, duke u dhënë 12 punonjësve të konsullatës algjeriane 48 orë kohë për t’u larguar nga vendi. Ministri i Brendshëm francez Bruno Retaillo i tha kanalit televiziv Cnews se ai e konsideronte vendimin “absolutisht të përshtatshëm”.

Presidenca franceze beson se “autoritetet algjeriane mbajnë përgjegjësi për përkeqësimin e marrëdhënieve dypalëshe”. Për ministrin e Jashtëm Jean-Noel Barrot, i cili vizitoi Algjerinë në fillim të muajit, Algjeria “zgjodhi përshkallëzimin”.

Algjeria, nga ana e saj, mbrojti vendimin e saj të hënën dhe vendosi “përgjegjësinë e plotë” mbi Retaillo, një ministër i krahut të djathtë i cili muajt e fundit ka promovuar një linjë të ashpër kundër atij vendi, veçanërisht në lidhje me emigracionin.

“Bruno Retaillo nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje gjyqësore”, siguroi Barrot, duke theksuar pavarësinë e gjyqësorit francez.

Të premten e kaluar, tre burra, përfshirë një punonjës në një konsullatë algjeriane në Francë, u arrestuan me akuzën e rrëmbimit dhe ndalimit arbitrar. Çështja ka të bëjë me ndikuesin algjerian anti-establishment, Amir Bouhors, i njohur gjithashtu me pseudonimin Amir DZ, i cili u rrëmbye dhe më pas u lirua në Francë në vitin 2024.

Pavarësisht përkeqësimit të papritur të marrëdhënieve, Parisi ende beson se është në interesin e të dy vendeve të rifillojnë dialogun dhe i bëri thirrje Algjerit të “tregojë përgjegjësi”.

Kriza kishte filluar tetë muaj më parë, kur Macron shprehu mbështetjen e tij të plotë për një plan për autonomi për Saharanë Perëndimore nën sundimin maroken. Ky rajon pretendohet prej 50 vitesh nga Fronti Polisario, i cili kërkon të krijojë një shtet të pavarur, me mbështetjen e Algjerisë. Në atë kohë, Algjeria tërhoqi menjëherë ambasadorin e saj nga Parisi.

Presidentët e të dy vendeve më pas udhëzuan ministrat e jashtëm që të rifillojnë dialogun për të gjitha çështjet “të mprehta”, si emigracioni dhe arrestimi i shkrimtarit franko-algjerian Boualem Sansal nga autoritetet algjeriane.

Barrot këmbënguli sot se “çështjet gjyqësore nuk kanë të bëjnë fare me marrëdhëniet midis dy qeverive”.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta