Fiks Fare/ Lagjja “Skënderbeg” në Lezhë e mbushur me mbetje që i hedh bashkia, autoriteti: Gabim i punonjësve të shërbimit

15/04/2025 20:52

Fiks Fare zbulon skandalin e mbetjeve në lagjen “Skënderbeg” të Lezhës. Kamionët e bashkisë shkarkojnë çdo ditë aty mbetje, institucioni fajëson punonjësit.

Emisioni investigativ Fiks Fare ka transmetuar mbrëmjen e sotme një rast shqetësues nga qyteti i Lezhës, ku lagjja “Skënderbeg” është kthyer në një vendgrumbullim të mbetjeve inerte dhe urbane, në mënyrë të paligjshme.

Pamjet që kanë mbërritur në redaksinë e Fiksit tregojnë kamionë që hedhin mbetje në një gropë të madhe në periferi të lagjes, ku në shumë raste mbeturinave u vihet edhe zjarr. Sipas një banori të zonës, kjo ndodh çdo ditë.

Ai tregon se gropat janë krijuar vite më parë nga fabrika e tullave që ka nxjerrë dhe, por janë braktisur dhe tani po shfrytëzohen për të hedhur plehra. Banori thotë se kanë bërë ankesa në bashki dhe institucionet përkatëse, por nuk kanë marrë asnjë zgjidhje.

Sapo grupi i xhirimit të Fiksit mbërrin në vendin që është kthyer në grumbullim mbetjesh, shohin një tjetër kamion me logon e bashkisë që shkarkon mbetje. Shoferi nuk pranon të ketë marrë urdhër për këtë, por pohon se në atë vend hedhin mbeturina edhe banorë të zonave përreth. Ai thotë se kryesisht hidhen inerte nga ndërtimet, por ka pasur raste edhe me goma. Ndërsa për mbetjet plastike dhe zjarrvënien, mohon të jenë të lidhura me shërbimin e pastrimit të bashkisë.

Fiksi shkon edhe në fabrikën e tullave për të mësuar më shumë mbi shfrytëzimin e zonës, por pronari nuk pranon të takojë gazetarët. Roja i kontakton me telefon, por në fund urdhërohet të mos japë numrin personal dhe nuk u jep asnjë informacion për kontratën që fabrika ka për territorin në fjalë.

Në përpjekje për të marrë një përgjigje, gazetarët e Fiksit shkojnë edhe në Bashkinë e Lezhës. Pas më shumë se një orë pritjeje, kontaktojnë në telefon kryetarin e bashkisë, i cili mohon që mbetjet të hidhen me urdhër të bashkisë. Ndërkohë, nënkryetari në një intervistë për Fiks Fare, pranon se ekziston një marrëveshje për të mbushur zonën me inerte, por e cilëson si “gabim të shërbimit” hedhjen e mbetjeve të tjera. Ai thotë se ka pak ditë që janë në dijeni të situatës dhe se do të merren masa ndëshkuese për punonjësit përgjegjës.

Gazetarët kanë kërkuar zyrtarisht me shkrim marrëveshjen me fabrikën si dhe kontratën me ministrinë, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë dokument zyrtar, pavarësisht premtimeve të bashkisë.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta