
Ilaria Sula mbeti e vrarë nga ish i dashuri i saj, Mark Antony Samson, i cili e goditi tre herë me thikë në shtëpinë e tij, kjo pasi 22-vjeçarja shqiptare i kërkoi që t’i jepnin fund marrëdhënies së tyre.
Universiteti më i madh i Romës, La sapienza, në të cilin Ilaria studionte për shkenca statistikore, ka zgjedhur të nderojë studenten shqiptare, e cila mbeti viktimë e femicidit në Itali.
Në një ceremoni të mbajtur në ambientet e universitetit, u vendos që një prej sallave të La Sapienzës të mbante emrin e Ilaria Sulës.
“Hapësirat e reja të studimit brenda Godinës së Teatrit të Ri Universitar i janë kushtuar Ilaria Sulës. Me rastin e 722-vjetorit të themelimit të Studium Urbis, sot janë inauguruar tre hapësira të reja me gjithsej 260 vende të reja studimi për komunitetin studentor: Biblioteka e re e bashkuar e Jurisprudencës, Salla Montessori në Godinën e Mineralogjisë dhe Hapësirat e studimit Ilaria Sula, në të cilat një pllakë përkujtimore kujton: ‘Ilaria, studente e Sapienza-s, për të mos harruar të gjitha gratë viktima të feminicidit, të cilave u është ndërprerë mundësia për të shkruar të ardhmen e tyre’”, shkruhej në postimin e universitetit.
Pjesë e kësaj ceremonie ishin dhe prindërit e vëllai i Ilarias, të cilët prej ditësh vajtojnë humbjen e vajzës së tyre.
Ilaria u vra më 26 mars nga ish i dashuri i saj, Mark Antony Samson, i cili pasi e goditi tre herë me thikë, trupin e saj e futi në një valixhe dhe e hodhi në një zonë pyjore jashtë Romës. Prej ditësh ajo rezultoi e humbur, deri në momentin kur 23-vjeçari me origjinë nga Filipinet tregoi të vërtetën në polici.
Top Channel