Thellohet bilanci, shkon në 231 numri i të vdekurve nga shembja e çatisë në klubin e natës në Republikën Domenikane

14/04/2025 21:54

Numri i të vdekurve nga shembja e çatisë së një klubi nate në Santo Domingo është rritur në 231, njoftoi ministri i brendshëm i Republikës Domenikane.

“Kemi konfirmuar se 231 persona kanë humbur jetën në këtë aksident”, tha Farideh Rafoul në një konferencë për shtyp, duke sqaruar se 221 u gjetën të vdekur në vendin e tragjedisë dhe dhjetë të plagosur humbën betejën për të mbetur gjallë. 12 të plagosur të tjerë janë ende të shtruar në spital dhe tre prej tyre janë në gjendje kritike për jetën.

Fatkeqësia, e cilësuar si tragjedia më e madhe e shekullit në Republikën Domenikane, tejkalon për sa i përket numrit të viktimave zjarrin e vitit 2005 në një burg në pjesën lindore të vendit, kur humbën jetën 136 të burgosur.

Çatia e klubit të natës Jet Set u shemb në orën 00:44 (ora lokale) më 8 prill, kur qindra njerëz po ndiqnin një koncert të yllit të muzikës merengue Ruby Perez – i cili është ndër viktimat e tragjedisë.

Presidenti Luis Abinader shpalli gjashtë ditë zie kombëtare, ndërsa njoftoi formimin e një komisioni ekspertësh, me pjesëmarrjen e specialistëve të huaj, për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta