
Kreu i SPAK, Altin Dumani, duke folur sot për mandatin e prokurorëve të Posaçëm, dha dy propozime.
Propozimi i parë i Dumanit ishte që prokurorëve që u mbaron mandati 9-vjeçar të rikandidojnë, ndërsa propozimi i dytë që ata të atashohen pranë Prokurorisë së Apelit.
“E para çështjet kaq të ndjeshme, si çështje statusi, ku varet edhe fati personal i prokurorëve dhe institucionit, ne i diskutojmë si grup prokurorësh. Unë si kreu i SPAK nuk kam deklaruar apo propozuar ndonjë ndryshim pa u konsultuar me gjithë prokurorët. Kemi shkuar drejt një propozimi i mandatit. Për ta filluar me rinovimin e mandatit pranë SPAK. Kemi propozuar jo rinovim automatik. Propozimi i SPAK është të bëhen ndryshime kushtetuese dhe ligjore, që prokurorëve pas mbarimit të mandatit 9-vjeçar, tu jepet mundësia për të rikandiduar së bashku me prokurorë të juridiksionit të përgjithshëm”.
Për këtë deklaratë të Dumanit, reagoi kryedemokrati Sali Berisha, që kundërshtoi propozimin për zgjatjen e afateve.
“A e dëgjuat sot, halli i mandatit. O zotëri, në qoftë se kryer detyrat në zbatim të ligjit, nuk mund të kesh frikë nga puna jote. Ja ku i ke kolegët e tu që kanë dhënë dënime me jetë, jo një, por disa, dhe i morët dhe i nxorët një nga një nga sistemi se dënuan kryebanditët e qeverisë dhe Partisë Socialiste. Çfarë është kjo, të ndërrojmë Kushtetutën se ka frikë nga puna e tij? Jo mo, nuk ndërron Kushtetuta kurrë. Po, Kushtetuta do ndërrojë, do hiqet e drejta në mënyrë të prerë që prokurori të kontrollojë gjykatësin e dosjes. Kjo nuk ndodh në botë dhe ai ndryshim është urgjent. Po tjetër, për t’i zgjatur afatin, për t’i dhënë këtë apo atë, ta harrojë ai se ndryshon Kushtetuta për këtë. Çfarë pësuan, na thuaj pak ku i ke dënimet tij? Prokuroria e krimeve të rënda ka dhjetëra dënime përjetë, kriminelë nga më të rrezikshmit, ku i ke ti? Nuk ke asnjë gjer sot se bën pazare. Ky është i fiksuar, në çdo takim kërkon, na ndryshoni Kushtetutën për karrigen time. Jo mor zotëri, nuk ndryshojmë Kushtetutën ne për karrigen tënde. Ti tregon se ke frikë nga puna që ke bërë. Pse ke frikë nga puna që ke bërë, ke qenë prokuror në Skap, do shkosh prokuror prapë diku tjetër, në qoftë se ke punuar, në qoftë se nuk ke punuar, do përgjigjesh”.
Top Channel