Nxori ushtrinë në rrugë për të luftuar kartelet meksikane dhe mafien shqiptare, Presidenti i Ekuadorit fiton zgjedhjet me 1 milionë vota diferencë

14/04/2025 12:58
Daniel Noboa (Reuters)

Këshilli Kombëtar Zgjedhor i Ekuadorit shpalli të dielën presidentin Daniel Noboa fitues të garës presidenciale të vendit, pasi ai mbajti një epërsi të qëndrueshme dhe papritur prej 12 pikësh ndaj kandidates së majtë Luisa Gonzalez gjatë gjithë numërimit të votave.

Gonzalez u tha mbështetësve të saj që brohorisnin se nuk i pranonte rezultatet dhe do të kërkonte rinumërim, duke e quajtur “mashtrimin më të keq dhe më grotesk zgjedhor në historinë e Ekuadorit”.

Me 92% të kutive të votimit të numëruara, Noboa kishte 55.8% të votave, krahasuar me 44.1% të Gonzalez-it, një diferencë prej më shumë se një milion votash, raporton Reuters.

Noboa është zotuar të vazhdojë përpjekjet për të luftuar bandat e drogës dhe për të përmirësuar ekonominë në vështirësi, një mandat të plotë katërvjeçar. Ai u zgjodh në vitin 2023 vetëm për të përfunduar mandatin e paraardhësit të tij.

Rezultatet erdhën si surprizë për shumëkënd pas raundit të parë në shkurt, ku Noboa përfundoi vetëm 16,746 vota përpara Gonzalez-it.

Noboa falënderoi mbështetësit nga qyteti bregdetar Olon dhe tha se nuk kishte asnjë dyshim për fitoren e tij.

Kjo fitore ka qenë historike, një fitore me më shumë se 10 pikë, një fitore me më shumë se një milion vota, ku nuk ka asnjë dyshim se kush është fituesi”, tha Noboa.

Noboa përqendroi pjesën më të madhe të strategjisë së tij elektorale në shtatë provincat bregdetare, duke shtuar operacionet ushtarake kundër krimit dhe duke shpërndarë ndihma për njerëzit e prekur nga një rrjedhje nafte dhe për bizneset e vogla të goditura nga përmbytjet.

Ai thotë se plani i tij i sigurisë “Phoenix”, që përfshin dislokimin e ushtrisë në rrugë, rritjen e sigurisë në porte dhe shtimin e kapjeve të drogës dhe armëve, po jep rezultate, përfshirë një ulje prej 15% të vrasjeve të dhunshme vitin e kaluar.

Vrasjet, kontrabanda e armëve, vjedhja e karburantit, zhvatja dhe krime të tjera të kryera nga grupe kriminale vendase të lidhura me kartelet meksikane dhe mafian shqiptare janë rritur ndjeshëm në pesë vitet e fundit. Ndërkohë, ekonomia ka pasur vështirësi të rimëkëmbet pas pandemisë dhe papunësia është rritur.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta