
Të paktën 50 persona u vranë natën e së dielës në dy sulme në Nigerinë qendrore, një vend i tronditur nga përleshje të përsëritura vdekjeprurëse ndërkomunale, sipas Agence France-Presse.
“Mund të konfirmoj se 47 persona u vranë, 22 të tjerë u plagosën dhe u dërguan në spitale, pesë shtëpive dhe pasurive të tjera të vlefshme iu vu zjarri”, tha një zëdhënës i Kryqit të Kuq, i cili kërkoi të mos përmendet.
Objektivat e sulmeve ishin fshatrat Zike dhe Kimakpa. Dhjetë ditë më parë, 40 persona u vranë në sulme të ngjashme në të njëjtën zonë, në shtetin Plateau, i cili ndodhet midis Nigerisë veriore, myslimane dhe shteteve jugore, ku shumica e popullsisë është e krishterë.
Danjuma Dikson Outa, sekretari kombëtar i Shoqatës së Zhvillimit Iriguez, tha gjithashtu se sulmet vranë 47 njerëz dhe shumë u plagosën.
“Sulmuesit e paidentifikuar hynë në fshat dhe filluan të qëllonin pa dallim. Ata vranë tetë persona, plagosën të tjerë dhe dogjën shtëpi,” tha Dorcas John, një banor i fshatit Zike.
Personat e armatosur më pas “u larguan nga Zike dhe shkuan në Kimakpa, ku vranë 39 persona të tjerë, ” tha John Adamu, një banor i Kimakpa.
Autoritetet lokale dënuan sulmet, pa njoftuar për momentin ndonjë viktimë.
Që nga fillimi i prillit, persona të armatosur kanë vrarë më shumë se 40 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, në disa fshatra në Nigerinë qendrore. Javën e kaluar, ushtarët zbuluan trupin e prerë të një bariu 16-vjeçar, i cili ishte zhdukur në rajonin e Bashës. Kopeja e tij u vodh.
Ndërsa popullsia rritet, toka e punueshme po zgjerohet, ndërsa kullotat po zvogëlohen, edhe për shkak të ndryshimeve klimatike në Nigerinë veriperëndimore dhe qendrore. Cënimet e tokës, tensionet politike dhe aktiviteti minerar në rajon po përkeqësojnë konfliktet lokale. Bandat synojnë të marrin fshatrat, kryejnë rrëmbime masive dhe plaçkitjen e pronave. Në një sulm në fshatin Ruwi në fund të marsit, dhjetë njerëz u vranë kur burra të armatosur hynë në komunitet dhe hapën zjarr.
Top Channel