
Katër çifte lejlekësh dhe dy çifte të kalit të qyqes janë rikthyer këtë pranverë në luginën e Drinos, një nga korridoret më të rëndësishme të migrimit të shpendëve në Shqipëri.
Sipas ornitologëve, ky është një zhvillim me rëndësi të veçantë për ekosistemin e zonës dhe një tregues i përmirësimit të habitatit të shpendëve të kërcënuar në nivel global.
Rikthimi i lejlekëve për të tetin vit radhazi lidhet me reduktimin e përdorimit të pesticideve në bujqësi dhe krijimin e një balancë më të qëndrueshme mes aktivitetit njerëzor dhe jetës së egër në luginë.
Një nga ngjarjet më të rëndësishme është rikthimi i lejlekut të bardhë (Ciconia ciconia), një specie dikur e përhapur në disa rajone të vendit, përfshirë edhe luginën e Drinos.
Lugina e Drinos është përballur për dekada me sfida të mëdha mjedisore si ndotja, shpyllëzimi, zjarret dhe gjuetia, të cilat kanë ndikuar negativisht në mbijetesën e shpendëve që folezojnë në këtë zonë. Gligor Dushi, përfaqësues i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura pranë bashkisë Dropull, thekson se vitet e fundit kemi një rritje të ndjeshme të popullsisë së lejlekëve, çka jep shpresë për të ardhmen.
Përveç lejlekëve dhe kalit të qyqes, lugina e Drinos strehon edhe fjetoren më të madhe në Europë për skifterin kthetraverdhë, me rreth 6000 individë të numëruar në këtë territor. Ekspertët theksojnë se mbrojtja e habitatit natyror është parakusht për ruajtjen e kësaj pasurie të rrallë të biodiversitetit dhe për rikthimin e jetës së egër në të gjithë shkëlqimin e saj.
Top Channel