
Sajesa të turpshme dhe manipulim i opinionit publik nga Policia e Shtetit, e cilëson Partia Demokrati njoftimin se një 38-vjeçar ka blerë vota në Lushnjë, në favor të PD-së.
“Ne distancohemi nga çdo krim elektoral dhe jemi në krye të betejës kundër shkeljeve të ligjit në zgjedhje”, thuhet në deklaratën e Shtabit të PD-së në qarkun Fier. E djathta kërkon hetim nga Prokuroria e Posaçme Anikorrupsion.
“Sajesat e turpshme si të Sigurimit të Shtetit as na ndikojnë, as na shfokusojnë nga misioni ynë për të bërë më të mirën për Shqipërinë. Ne distancohemi nga çdo krim elektoral dhe jemi në krye të betejës kundër shkeljeve të ligjit në zgjedhje. Manipulimet e opinionit publik të kryer nga Policia e Shtetit, një bandë në shërbim të Belinda Ballukut, duhet të marrin përgjigje nga Prokuroria e Posaçme. SPAK duhet të hetojë menjëherë rastin dhe të vendosë para përgjegjësisë cilindo që ka shkelur ligjin.
Ne kemi besim të plotë tek SPAK për zbardhjen e këtij rasti, ku po keqpërdoret Policia e Shtetit për propagandë bajate kundër PD. Sajesa e trashë, qesharake dhe e turpshme e Policisë së Shtetit është bërë për llogari të PS dhe Belinda Ballukut për të zhurmuar krimin elektoral të detyrimit të administratës për të marrë pjesë në mitingjet e PS. 35 fletëthirrje janë dërguar tek strukturat e Partisë Socialiste për krime zgjedhore vetëm ditën e djeshme për këtë krim elektoral. Ne inkurajojmë Prokurorinë e Posaçme që të vijojë punën për goditjen e çdo krimi zgjedhor në qarkun Fier”, thuhet në reagim.
Marin Leka, që akuzohet për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, dyshohet se i ka premtuar shtetasit Muharrem Toska 50 mijë lekë në këmbim të votave për Partinë Demokratike.
Si garanci, Leka i ka kërkuar Toskës kartën e identitetit, ndërkohë që nuk dihet sa vota i kishte premtuar ky i fundit, njofton policia.
Ngjarja që ndodh më pak se një muaj nga dita e zgjedhjeve, raportohet në qytetin e Lushnjës, ndërkohë që vijon hetimi për rastin.
Top Channel