
Kryeministri Edi Rama ka dalë këtë të hënë mbrëma në konferencën e përbashkët për shtyp me Radosław Sikorski, Ministër i Punëve të Jashtme të Polonisë, e cila mban Presidencën e Këshillit të BE, dhe Marta Kos, Komisionerja për Zgjerim e BE.
Pas njoftimit për çeljen e grup kapitullit të dytë, Rama u shpreh falënderues dhe tha se Shqipëria do të vijojë rrugën për t’u futur në BE.
“Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është shumë më tepër se një ambicie politike apo ekonomike, por ekzistenciale. E kemi mësuar në mënyrën më të vështirë që barazia jonë para ligjit dhe e ardhmja për fëmijët tanë nuk mund të garantohet askund tjetër se brenda BE. Faleminderit Radosław, e di që ke shumë punë për të bërë e megjithatë keni qenë i dedikuar ndaj kësaj pjese të të gjithë asaj pune të madhe të presidencës suaj dhe keni realizuar diçka që nuk do ta harrojmë. Faleminderit Marta që na besove dhe që na ke shtyrë pa hezitim sepse kjo është e vetmja mënyrë për të ecur para”, tha Rama.
“Shqipëria është histori suksesi e procesit tonë të zgjerimit dhe sot kemi hedhur një tjetër hap në zgjerim”, tha Marta Kos.
Top Channel