Veliaj: Nga karriget dhe bidonat, te parkingjet moderne, Tirana 10 vite transformim

13/04/2025 18:12

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka ndarë sot në rrjetet sociale një reflektim mbi transformimin rrënjësor që ka pësuar kryeqyteti në menaxhimin e parkimit gjatë dekadës së fundit.

Veliaj thekson se ndërhyrja ka qenë e domosdoshme dhe se Bashkia vendosi të ndërmerrte tre hapa të rëndësishëm: ndërtimin e parkingjeve nëntokësore, emetimin e Kartës së Rezidentit për qytetarët dhe vendosjen e sistemit SMS Parking.

Postimi:

E mbani mend si parkohej në Tiranë në 2015? Vendet ziheshin nga më të fortët e lagjes, me karrige, gurë, bidona plastikë, e gjithfarësoj sendesh të tjera. Një panoramë e padenjë për kryeqytetin!

Ishte e domosdoshme dhe urgjente që të vinim dorë edhe për rregullimin e kësaj situate në Tiranë, kur vendosëm të bënim tre gjëra:

– shtimin e parkingjeve nëntokësore dhe lirimin e hapësirave të zëna në mënyrë të paligjshme;

– emetimin e Kartës së Rezidentit, për të lehtësuar qytetarët;

– dhe vendosjen e sistemit SMS Parking, si mënyra më e thjeshtë për të parkuar në qytet, si në çdo qytet tjetër europian.

10 vjet më pas Tirana ka 5 parkingje nëntokësore me kushte moderne dhe shumë shpejt do të hapen edhe të tjera, mes të cilëve ai te Teatri i Ri. Parkingjet nëpër rrugë nuk zihen më nga të fortët, por funksionojnë me SMS, të ardhurat e të cilave shkojnë për mbjelljen e pemëve.

Ka qenë një punë jo e lehtë, e sigurisht ia dolëm me mbështetjen e vetë qytetarëve, pa të cilët Tirana nuk mund të transformohej dot në një metropol europian. Mirënjohës!

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta