
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian paralajmërojnë masa më të ashpra ndaj Rusisë, pas sulmit të përgjakshëm me raketa balistike, teksa njerëzit ishin mbledhur për të festuar të Dielën e Palmave.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi të tmerrshëm sulmin rus në qytetin Sumy, që la pas 32 të vdekur e mbi 80 të plagosur, përfshirë edhe fëmijë.
“Ky sulm i tmerrshëm është një kujtesë tragjike se pse Presidenti Trump dhe Administrata e tij po i kushtojnë kaq shumë kohë përpjekjes për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe për të arritur një paqe të qëndrueshme”, shkroi Sekretari Rubio në rrjetin X, teksa shprehu ngushëllime për familjarët e viktimave.
Nga ana tjetër, sulmi vdekjeprurës u dënua ashpër dhe nga Bashkimi Evropian. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se duhen marrë urgjent masa ndaj Rusisë.
“Një sulm barbar, që vrau burra, gra e fëmijë. Nevojiten urgjentisht masa të forta për të zbatuar një armëpushim”, shkroi Von der Leyen në rrjetin X, duke shtuar se “Evropa do të vazhdojë të kontaktojë partnerët e saj dhe të mbajë nën presion të fortë Rusinë, derisa të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme, sipas kushteve të Ukrainës”.
Më herët, edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni, kërkuan masa të fuqishme ndaj Moskës, për ta detyruar të pranojë armëpushimin.
Top Channel