
Irani, i cili aktualisht po zhvillon bisedime për programin e tij bërthamor me Shtetet e Bashkuara në Sulltanatin e Omanit, po kërkon një “marrëveshje të drejtë” me Uashingtonin, tha kreu i diplomacisë iraniane.
“Synimi ynë është të arrijmë një marrëveshje të drejtë dhe të ndershme mbi baza të barabarta,” i tha Abbas Araghchi televizionit shtetëror të Iranit, duke shtuar se ekzistonte një “mundësi” për të arritur një kompromis “nëse pala tjetër” miratonte të njëjtin pozicion.
Bisedime me dyer të mbyllura në Muscat
SHBA dhe Irani do zhvillojnë sot bisedime me interesa të larta në Oman për programin bërthamor iranian, pas kërcënimeve për veprime ushtarake amerikane në rast dështimi.
I dërguari i SHBA për Lindjen e Mesme Steve Witkoff dhe ministri i jashtëm iranian Abbas Araghchi pritet të mbajnë bisedime me dyer të mbyllura në Muscat.
Bisedimet do të jenë të parat në një nivel të tillë midis dy vendeve që nga tërheqja e SHBA në 2018, gjatë presidencës së parë të Donald Trump, nga marrëveshja e vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive të mëdha për programin bërthamor të Teheranit në këmbim të heqjes së sanksioneve.
Shtëpia e Bardhë deklaron se këto janë negociata të drejtpërdrejta “në të njëjtën dhomë” dhe Irani flet për bisedime të ndërmjetësuara nga Omani.
Sipas televizionit shtetëror të Iranit, Araghchi zhvilloi bisedime pas mbërritjes në Muscat me zyrtarë të Omanit. Ai shoqërohet nga zëvendësministrat e tij, të cilët janë përgjegjës për çështjet politike dhe ligjore.
Presidenti Donald Trump ka miratuar një politikë të “presionit maksimal” ndaj Iranit dhe ka vendosur sanksione të reja që synojnë programin e tij bërthamor dhe sektorin e naftës.
Mbajtja e këtyre bisedimeve shkaktoi habi të madhe, pas shumë javësh retorikë luftarake mes dy vendeve, të cilat prej 45 vitesh nuk kanë marrëdhënie diplomatike.
Top Channel