Talebanët ekzekutojnë publikisht katër burra në një stadium të mbushur me njerëz

11/04/2025 10:54

Katër burra të dënuar për vrasje u ekzekutuan sot në stadiumet e mbushura me njerëz në Afganistan, duke e çuar në dhjetë numrin e ekzekutimeve publike të kryera në vend që kur talebanët u kthyen në pushtet në vitin 2021, sipas një numërimi të AFP.

Autoritetet vendore i kishin bërë thirrje zyrtarëve dhe qytetarëve të enjten që të “marrin pjesë në ngjarje”, duke ndaluar, si zakonisht, celularët dhe kamerat për të mos lejuar publikimin e fotove.

Dy burra u ekzekutuan para 20,000 njerëzve të mbledhur në një stadium në Qala-i-Naw, kryeqyteti i provincës Bangdis në veriperëndim të Afganistanit, sipas parimit islamik të “qisas” ose ligjit të hakmarrjes, njoftoi Gjykata e Lartë.

Personi i tretë u ekzekutua në qytetin Zaranj, kryeqyteti i provincës Nimroz.Ekzekutimi u bë publikisht, në një stadium të mbushur plot.

Një person i katërt u ekzekutua në provincën Farah, në Afganistanin perëndimor. Ky është numri më i madh i ekzekutimeve të kryera në një ditë të vetme në Afganistan që nga viti 2021.

Familjet e viktimave të katër të dënuarve u pyetën nëse i falnin, por ata refuzuan, shtoi Gjykata e Lartë.

Në Cala i Nau, një burrë nga secila prej familjeve të viktimave mori një armë dhe qëlloi gjashtë herë mbi të dënuarit, thanë dëshmitarët okularë për AFP.

Urdhri për ekzekutimet u nënshkrua nga udhëheqësi suprem i talebanëve, Emir Haibatullah Akhundzada, i cili jeton jashtë vëmendjes në Kandahar dhe sundon Afganistanin përmes dekreteve.

Megjithëse ekzekutimet publike ishin një dukuri e shpeshtë nën regjimin e parë taleban (1996-2001), ato janë ulur ndjeshëm që nga kthimi i tyre në pushtet në verën e vitit 2021.

Që atëherë, gjashtë burra janë ekzekutuar deri më sot për “vrasje”, një në nëntor, tre në shkurt 2024, një në 2 qershor 2024, një në 22 gusht 2020. Autoritetet talebane kanë kryer rregullisht fshikullime publike për krime të tjera, si vjedhja, tradhtia bashkëshortore ose pirja e alkoolit.

Akhundzada kishte deklaruar në gusht, në përvjetorin e tretë të marrjes së pushtetit nga talebanët, se zbatimi i ligjit islamik ishte një “përgjegjësi deri në vdekje”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta