
Duke theksuar marrëdhëniet e tij të mira me presidentin kinez, Xi Jinping, presidenti amerikan, Donald Trump shprehu optimizëm se SHBA dhe Kina përfundimisht do të arrijnë një marrëveshje për tarifat.
“Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë me Kinën. Ne do të donim të ishim në gjendje të arrinim një marrëveshje. Ata me të vërtetë kanë përfituar nga vendi ynë për një periudhë të gjatë kohore”, tha Trump, duke fajësuar ish-presidentët për atë që Kina i ka bërë Shtetetve të Bashkuara.
“Ne po rivendosim tryezën dhe jam i sigurt se do të jemi në gjendje të kalojmë shumë mirë. Kam respekt të madh për presidentin Xi. Ai ka qenë, në kuptimin e vërtetë, ai ka qenë miku im për një periudhë të gjatë kohore dhe mendoj se do të përfundojmë duke punuar për diçka që është shumë e mirë për të dyja vendet”, vazhdoi Trump.
Trump kundërshtoi masën e Kinës për të ulur numrin e filmave amerikanë të shfaqur në vend, duke sugjeruar se kjo është një formë e dobët hakmarrjeje ndaj tarifave të tij.
“Unë mendoj se kam dëgjuar për gjëra më të këqija”, tha Trump, ndërsa disa të qeshura shpërthyen në mesin e kabinetit të tij.
Top Channel