
Qyteti i Durrësit mirëpriti një nga ngjarjet më të veçanta kulturore të vitit, teksa katamarani më i madh në botë i llojit të vet, pjesë e iniciativës ndërkombëtare Art Explora, ndalet në portin e qytetit për të sjellë një eksperiencë unike për publikun.
Për dhjetë ditë me radhë, qytetarët dhe vizitorët do të kenë mundësinë të përjetojnë një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike të një niveli të lartë, të hapura për publikun.
Ky aktivitet i jashtëzakonshëm e kthen Durrësin në një pikë takimi midis artit klasik dhe bashkëkohor, duke promovuar qytetin si një qendër kulturore mesdhetare.
Kryeministri Edi Rama nuk e fshehu entuziazmin për këtë aktivitet dhe për këtë bashkëpunim me ambasadorin francez.
“Jashtëzakonisht i lumtur të dëshmoj shpirtin praktik të Europës përmes ambasadorit të saj, i cili reflektoi në mënyrë shumë elegante dhe shumë të përshtatshme. Kur flasim për flamurin francez, është një pamje që bëhet gjithnjë e më normale, por nuk ishte kështu para pak kohësh, kur e ndienim larg Francën dhe kur Franca e shikonte Ballkanin me një lloj distance.
Që prej mbërritjes së presidentit aktual në Elize, ka një lloj kurioziteti dhe një lloj kthimi drejt këtij rajoni dhe drejt Shqipërisë. Falë kësaj, patëm në Shqipëri vizitën e parë të një presidenti francez. Ambasadori dhe shumë zyrtarë të tjerë janë sot këtu dhe çfarë mund të them më tepër.
Edhe dielli reflektoi dhe e bëri ditën më të ngrohtë, më pak balltike se sa dje. Jam shumë mirënjohës. Ndjesia këtu është e jashtëzakonshme, përzierja e qytetit me portin. E një porti që po mbyll dyert e tij, duke u transferuar diku tjetër. Falënderoj të gjithë miqtë e fondacionit ArtExplora”.
Top Channel