Brenda kësaj jave pritet të vijnë sërish emigrantë nga Italia drejt Shqipërisë.

Kjo është transferta e katërt dhe qeveria Meloni ka shumë shpresa se nuk ekziston rreziku që gjyqtarët në Romë të pengojnë projektin e ri.

Ata që do të sillen në Gjadër nuk do të jenë më azilkërkues të kapur në det, por emigrantë të parregullt, në pritje të dëbimit.

Afati maksimal i qëndrimit në qendrën e Gjadrit do të jetë 18 muaj.

Mediat italiane thonë se Ministria e Brendshme po punon këto ditë për përzgjedhjen e “kandidatëve” të mundshëm që do të vijnë në Shqipëri.

Udhëtimi pritet të bëhet me anije, duke u nisur nga Pulia me destinacion Qendrën e Paraburgimit të Riatdhesimit në Gjadër, e cila aktualisht ka rreth dyzet vende. Sa i përket kapaciteteve në Gjadër, po punohet për të rritur kapacitetin e tij në 144 vende.

Ministri i Brendshëm Italian, Matteo Piantedosi, ka theksuar se politikat e reja kanë ulur ndjeshëm fluksin e emigrantëve në Itali dhe se qendrat në Shqipëri janë një model efektiv menaxhimi.

Tani, emigrantët e dëbuar do të mbahen në Gjadër deri në 18 muaj, derisa vendet e tyre të origjinës të pranojnë kthimin e tyre. Ndërkohë që qeveria Italiane është në pritje të vendimit të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së mbi dekretin për “Vendet e sigurta”.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta