
Bojkot dhe kundërshtim nga socialdemokratët për herë të parë, prodhoi mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak në Shkodër.
Pasi miratuan 5 pikat e para të rendit të ditës, që kishin lidhje me ndihmën ekonomike për banorët, qiranë e banesave sociale dhe strehimin emergjent të disa familjeve të cilave u janë djegur shtëpitë, këshilltarët e Partisë Social Demokrate e bojkotuan mbledhjen, me arsyetimin se miratimi i pikave të tjera është i paligjshëm, pasi jemi në periudhë fushate elektorale.
Edhe për demokratët, marrja e këtyre vendimeve në këtë periudhë është antiligjore.
“Ne nuk e shohim vetën si patericë. Nuk mund të bëhemi pjesë e këtij votimi”, shprehet Marina Duhani, këshilltare e PSD.
Me largimin fillimisht të socialdemokratëve dhe më pas edhe të demokratëve, mbledhja dështoi. Socialistët e konsideruan të papranueshme sjelljen e kolegëve këshilltarë.
Një ndër pikat më kryesore të dërguara për miratim në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ishte ajo për menaxhimin e plazheve publike nga Bashkia Shkodër në plazhin e Velipojës.
Top Channel