
Gjykata e Posaçme ka urdhëruar lirimin e Idriz Manej, i përmendur nga i penduari i drejtësisë Artan Tafani mes emrave të grupit të Laert Haxhiut, që sipas roleve të caktuara akuzohen se vranë Fridman Xhaferrin, trupin e të cilit më pas e zhdukën duke e hedhur në një rezervuar në Korçë.
Sikurse raporton gazetarja Anila Hoxha, Manej iu drejtua Gjykatës së Posaçme dhe kërkoi shuarjen e masës së sigurimit “arrest në burg” që kishte caktuar me vendimin e 1 tetorit 2023 Gjykata e Elbasanit për këtë ngjarje dhe përpara se krimet e grupit të Leart Haxhiut t’i kalonin për kompetence Prokurorisë së Posaçme që zbërthej përmes të penduarit Tafani një seri ngjarjesh.
Sikurse raporton gazetarja Anila Hoxha, “në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Çela, Etleva Deda dhe Elsa Ulliri, bazuar në nenet 112 dhe 264/3 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 214, date 09.04.2025, vendosi: Pranimin e kërkesës së kërkuesit (të pandehurit) Idriz Manej. Konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit ‘arrest në burg’, e caktuar ndaj të pandehurit Idriz Manej me vendimin nr. 690, dt. 01.10.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për shkak se kohëzgjatja e paraburgimit të vuajtur është më e madhe se gjysma e maksimales së dënimit të parashikuar për veprën penale që procedohet”.
Gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të të pandehurit Idriz Manej nga masa e sigurimit personal “arrest në burg”, mbasi autoritetet të kryejnë verifikimet dhe vetëm nëse nuk mbahet për ndonjë vendim tjetër mase sigurimi personal shtrëngues ‘arrest në burg’, apo vendim dënimi me burgim të formës së prerë thuhet në vendim”.
Por i njohuri si Gjyshka rezulton i dënuar edhe për një çështje droge, për të cilën po mbahej në burgun e Drenovës kur Tafani foli ndaj grupit të Laert Haxhiut dhe ekspozoi edhe një nga ndihmësit në krimin e 2021. U takon autoriteteve të burgjeve të vlerësojnë nëse e ka përfunduar apo jo 60-vjeçari dënimin e mëparshëm.
Top Channel