
Në Gjykatën Administrative të Apelit ka mbërritur një stok prej 24 mijë dosjesh që presin me të paditur institucionet shtetërore.
Aktualisht po gjykohen dosjet e vitit 2018. Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese ka ndërhyrë për një tjetër paditës, duke kërkuar gjykim brenda afateve.
Bëhet fjalë për padinë e Dëshmitarëve të Jehovait, të cilët kishin kërkuar pranë institucioneve përkatëse të regjistrohen si komunitet fetar. Në pritje të kësaj kërkese, ata kërkuan ndërhyrjen e gjyqësorit për të urdhëruar institucionet që t’i regjistrojnë, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
Sipas këtij vendimi të bërë publik, Gjykata Kushtetuese urdhëron Gjykatën Administrative të Apelit që të gjykojë dhe të vendosë brenda gjashtë muajve të ardhshëm kërkesën e Dëshmitarëve të Jehovait, të cilët pretendojnë se po presin gjykimin prej 31 majit 2022.
Pavarësisht se është kërkuar përshpejtimi i gjykimit, ata nuk janë dëgjuar. Nga aktet rezulton se Dëshmitarët e Jehovait pretendojnë se në fillim të vitit 2021, përmes postës, i kërkuan Këshillit të Ministrave nisjen e procedurave për një marrëveshje, në të cilën synohet të njihen nga Komiteti i Kulteve si bashkësi fetare në Shqipëri.
Paditësit shprehen se, në mungesë të një përgjigjeje, nisën betejën gjyqësore në qershorin e të njëjtit vit, me objekt detyrimin e shtetit për kthim përgjigjeje dhe për t’i regjistruar.
Por, shkalla e parë administrative, në fund të vitit 2021, vendosi rrëzimin e kërkesës për kthim përgjigjeje, me arsyetimin se nuk ekzistonte një kërkesë e protokolluar e tillë.
Ndërsa për regjistrimin si komunitet fetar, nuk legjitimohej ngritja e padisë ndaj organit publik dhe, për këtë arsye, e pushoi çështjen. Me insistimin se po shkeleshin afatet, në këtë rast, ashtu siç po ndodh edhe me qindra shtetas të tjerë që po presin prej vitesh, paditësi iu drejtua Gjykatës së Lartë.
Kjo e fundit, duke kujtuar se vetëm gjyqtarja relatore kishte një ngarkesë prej 2450 çështjesh nën gjykim, deklaroi se Gjykata Administrative e Apelit gjendet në pamundësi për të përshpejtuar gjykimin. Meqë ka edhe fashikuj të tjerë që janë tejkaluar nga afati, Gjykata e Lartë shpalli se një përshpejtim i tillë do të kolapsonte akoma më shumë situatën.
Megjithatë, gjyqtarët kushtetues, duke iu referuar zvarritjes së gjykimeve, edhe për shkak të zbatimit të reformës në drejtësi, përmendin se ligjvënësi ka për detyrë të marrë masa që gjykatat e të gjitha niveleve të funksionojnë normalisht.
Ndërsa shpalli se edhe në rastin e Dëshmitarëve të Jehovait, sikurse edhe në rastet e paditësve të tjerë, është shkelur e drejta për një gjykim brenda afatit të arsyeshëm.
Kjo është e disata herë që Gjykata Kushtetuese vëren shkelje të afatit për gjykim të rregullt. Më të zakonshmet janë paditë për largimet e padrejta nga puna.
Top Channel