
Detaje të reja po dalin nga vrasja e Ilaria Sulës nga i dashuri i saj, Mark Antony Samson, i cili u ndihmua dhe nga nëna e tij për fshehjen e trupit.
Por duket se e ëma e autorit nuk ishte e vetmja bashkëpunëtore në krim, pasi hetuesit kanë zbuluar se dhe dy miq të Samsonit kanë ndihmuar atë të fshihte gjurmët.
Gjëja e parë që ngre dyshime janë qelizat telefonike me të cilat është lidhur celulari i viktimës pas vdekjes së saj, kur Mark vazhdonte të dërgonte mesazhe për të mashtruar familjarët dhe miqtë e Ilarias.
Qelizat e celularit të saj përputhen me vendbanimin e dy të dyshuarve të cilët tashmë janë marrë në pyetje nga hetuesit dhe kanë mohuar të gjitha akuzat.
Dyshimet janë ngjallur nga vështirësitë që autoritetet kanë pasur për të gjetur trupin e Ilarias në zonën pyjore të Polit, në dalje të Romës.
Së fundi, ekziston hipoteza e mbulimit të krimit. Gjyqtari hetues shkruan: “Ekziston rreziku konkret që Samson mund të ndikojë tek provat, telefoni i vajzës nuk është gjetur ende dhe dinamika e fshehjes së trupit të Ilarias s’është e qartë gjithashtu për shkak të rolit të një personi të tretë”.
Top Channel