
Nëntë persona u vranë në një sulm të armatosur në një klinikë rehabilitimi nga droga në Sinaloa, në veriperëndim të Meksikës, thanë autoritetet lokale.
Sulmi u krye në Culiacan, kryeqyteti i shtetit, ku përleshjet e ashpra që nga shtatori midis dy fraksioneve të kartelit Sinaloa kanë lënë qindra të vdekur dhe të zhdukur.
Fillimisht, tetë persona u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën kur një grup personash të armatosur thyen dyert e klinikës dhe hapën zjarr ndaj njerëzve brenda, sipas një raporti zyrtar. Disa orë më vonë, njëri nga të plagosurit ka ndërruar jetë.
Ky është sulmi i shtatë në qendrat e rehabilitimit të drogës në Sinaloa që nga shtatori, kur filluan armiqësitë midis dy fraksioneve rivale të kartelit famëkeq.
Deri në janar, ky konflikt vlerësohet të ketë shkaktuar të paktën 750 të vdekur dhe 900 të zhdukur. Megjithatë, intensiteti i tij u përkeqësua pas vendosjes së forcave të forta të sigurisë në shtet.
Karteli Sinaloa u themelua nga Joaquín “El Chapo” Guzmán, i cili po vuan dënimin e përjetshëm në një burg të sigurisë maksimale në Shtetet e Bashkuara, dhe Ismael “El Mayo” Zamada, i cili u arrestua në Teksas në korrik.
Ndjekësit e Mayo akuzojnë djemtë e Chapos, ose “Chapitos” për organizimin e dorëzimit të tij tek autoritetet amerikane.
Top Channel