
Presidenti amerikan Donald Trump përsëriti dje të dielën se nuk do të përjashtonte mundësinë e transferimit e të burgosur amerikanë në El Salvador, kur u pyet për këtë nga gazetarët në avionin presidencial.
Presidenti i El Salvadorit, Naguib Bukele, propozoi në fillim të këtij viti që vendi i tij të pranonte kriminelë të dhunshëm nga SHBA dhe t’i burgoste në CECOT, një qendër masive paraburgimi për të dyshuarit terroristë, e ndërtuar si pjesë e “luftës” kundër bandave dhe e njohur për kushtet e saj jashtëzakonisht të vështira.
“Nëse ata mund t’i mbajnë këta kriminelë të tmerrshëm për shumë më pak para se sa na kushtojnë neve, unë jam për këtë, por do të bëj vetëm atë që është brenda ligjit,” u tha Presidenti Trump gazetarëve në bordin e avionit presidencial.
Republikani ka ftuar homologun e tij salvadoran të vizitojë Shtëpinë e Bardhë më 14 prill dhe çështja ka të ngjarë të jetë në axhendë.
Autoritetet amerikane kanë transferuar tashmë më shumë se 200 të huaj – sipas administratës Trump, kryesisht anëtarë të një bande famëkeqe ndërkombëtare të krijuar fillimisht në Venezuelë – në El Salvador, duke sfiduar urdhrat e gjykatës për të mos vazhduar me projektin.
Kur zoti Bukele bëri propozimin që vendi i tij të mirëpresë qytetarët amerikanë, ai kishte argumentuar se të ardhurat do të lejonin që sistemi i burgjeve të El Salvadorit të bëhej financiarisht i qëndrueshëm.
Organizatat e të drejtave të njeriut kanë kritikuar vazhdimisht politikat e zotit Bukele dhe kushtet që mbizotërojnë në burgjet e El Salvadorit, duke folur për një mori shkeljesh.
Top Channel