Mesazhi në ‘WhatsApp’ që po mashtron shqiptarët, reagon AKSK: Mos e hapni!
07/04/2025 18:13
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike apelon tek qytetarët të bëjnë kujdes, pasi po shpërndahen mesazhe mashtrimi në platformën “Whatsapp”.
“Një mesazh që kërkon të votohet në një sondazh po shpërndahet në rrjetin whatsapp. Bëni kujdes, ky mesazh është mashtrues”, apelon AKSK-ja.
Këto mesazhe që dërgohen në telefonat e qytetarëve, njihen ndryshe si metoda “phishing”. Përmes tyre, synohet vjedhja e të dhënave të përdoruesve.
Nëse tentoni të klikoni, personazhet që fshihen pas këtij mesazhi mund t’ju marrin të dhënat personale nga telefoni.
Në të tilla situata, qytetarët duhet të bëjnë kujdes dhe mos të klikojnë linqe të tilla, por t’i raportojnë ato menjëherë pranë autoriteteve përkatëse.
Top Channel