
Në Terni është një ditë zie. Dita e lamtumirës së fundit ndaj Ilaria Sulës, 22-vjeçarja e cila u vra në mënyrë makabre nga i dashuri i saj filipinas, Mark Antony Samson.
Fillimisht procesioni nis nga shtëpia e shqiptares dhe më pas do të bëhet lutja e fundit ndaj saj. Aty do të jenë familjarët e 22-vjeçares, miqtë dhe shoqatat kundër dhunës ndaj grave.
Procesioni do të nisë nga shtëpia e Ilarias në orën 14:00 dhe më pas do të arrijë në varrezat e Ternit, ku do të prehet dhe trupi i studentes shqiptare.
Ditët e fundit para shtëpisë së viktimës janë vendosur lule, kartolina dhe pankarta në kujtim të Ilarias dhe kundër dhunës ndaj grave.
Babai i Ilarias ndërkohë falënderoi të gjithë qytetin, kryetarin e bashkisë dhe policinë dhe të gjithë njerëzit për solidaritetin ndaj familjes së tij.
Në Terni, siç vendosi kryebashkiaku Stefano Bandecchi, parashikohet “shfaqja e flamujve në gjysmështizë” në shenjë zie. Ndërkohë në Romë, në Sapienza, mësimet janë pezulluar në kujtim të Ilarias.
Që nga mëngjesi i sotëm, rreth njëqind persona janë takuar poshtë shtëpisë ku Ilaria Sula jetonte me prindërit e saj.
Dhjetëra kurora, buqeta me lule dhe shumë kartolina kujtojnë studenten e shkencave statistikore, e cila vdiq në duart e ish-it të saj.
Top Channel