Vrasja makabre e Ilaria Sulës/ Nis hetimi për nënën e autorit, dyshohet se fshehu trupin e studentes shqiptare

06/04/2025 22:50

Nëna e Mark Antony Samsonit, 23-vjeçarit që vrau studenten shqiptare Ilaria Sula, tashmë është nën hetim për bashkëpunim në fshehjen e kufomës.

Sipas asaj që raporton LaPresse, nëna e 23-vjeçarit filipinas kishte qenë e pranishme në shtëpi në momentin e krimit dhe kishte dëgjuar britmat e të resë që vinin nga dhoma e gjumit, ku ndodhi vrasja.

Me të hyrë në dhomë, ajo pa trupin e pajetë të vajzës dhe më pas ndihmoi djalin e saj të pastronte vendin e krimit.

Hetuesit, të cilët deri më tani i kishin bazuar hetimet në versionin e dhënë nga Samsoni, shprehën dyshime për mundësinë që i riu të kishte vepruar i vetëm. Kthesa erdhi në orët e fundit, kur hetimet u shtrinë edhe për nënën e 23-vjeçarit. Ajo është thirrur për t’u marrë në pyetje të hënën e 7 prillit në orën 14:00.

Gjatë takimit, i cili do të zhvillohet në prani të avokatëve të saj, ajo do të duhet të sqarojë rolin e saj në këtë ngjarje dhe të japë çdo detaj të dobishëm për hetimin. Akuza e hipotezuar ndaj saj është ajo e bashkëpunimit në fshehjen e kufomës.

Ndërkohë, Prokuroria e Romës ka autorizuar varrimin e Ilaria Sulës , e cili do të bëhet të hënën e 7 prillit, në vendlindjen e saj, Terni, në Umbria.

Vrasja e 22-vjeçares Ilaria Sula shkaktoi bujë dhe indinjatë të madhe mediatike. Sipas rrëfimit të Mark Antony Samson, krimi ndodhi në kulmin e një debati mes të dyve. Megjithatë, hetimet kanë nxjerrë në dritë elemente që kanë bërë që hetuesit të mendojnë se i riu nuk ka vepruar i vetëm, veçanërisht në drejtim të menaxhimit të vendit të ngjarjes.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta