
Katër ditë pas intervistës së tij në televizionin publik të Greqisë ERT, e para në mediat greke, duke folur për gazetën “Apogjevmatini” të së dielës, kryepeshkopi i Shqipërisë Joan Pelushi thekson midis të tjerash se trashëgimia e shquar e kryepeshkopit të ndjerë Anastas është një bekim dhe përgjegjësi e madhe për të.
“Personaliteti i tij i shquar, me zërin dhe praninë e tij të fuqishme në kishën ortodokse dhe më gjerë, la gjurmë të pashlyeshme”, thotë ai.
“Është një ngarkesë e rëndë, përtej forcës së shpatullave të mia të dobëta, por ajo që më jep kurajë është siguria se Zoti është Ai që i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të dobëtit”, vazhdon ai.
“Falënderoj Zotin që dërgoi në vendin tonë një njeri të ndritur dhe të përkushtuar, Kryepeshkopin Anastas, i cili ka qenë një dhuratë e çmuar për ne dhe për Kishën tonë”, deklaron imzot Joani duke shtuar se ai e ringriti Kishën shqiptare nga rrënojat dhe se ndihet i privilegjuar që e njohu dhe punoi me të për 33 vjet.
I pyetur për largimin e tij nga Mitropolia e Korçës Hirësia e tij Joani thotë: “Si çdo ndarje, edhe largimi pas 27 vitesh të bekuara është i dhimbshëm për shkak të kujtimeve të çmuara në këtë qytet të veçantë me besimtarët e tij të devotshëm dhe Korça do të mbetet gjithmonë në zemrën dhe lutjet e mia”.
Në fund të intervistës Fortlumturia e Tij Joani jep mesazhin për ditët në vijim duke theksuar se do të përpiqet me të gjitha forcat t’i shërbejë grigjës që Perëndia i ka besuar, duke mbajtur gjithmonë parasysh fjalët e Zotit se “Biri i njeriut nuk erdhi që t`i shërbejnë, por për të shërbyer” dhe do të përpiqet të vazhdojë, veprën e shkëlqyer të kryepeshkopit të bekuar Anastas.
“Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë -përfundon ai- do të jetë miqësore dhe do të kërkojë të bashkëjetojë paqësisht me të gjithë, duke ndjekur këshillën e Apostullit Pal: Nëse është e mundur, për aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me të gjithë njerëzit”.
Top Channel