
Presidenti Donald Trump u zotua këtë javë të “ta bëjë Amerikën të pasur përsëri” me një valë tarifash të reja, duke shpallur një emergjencë kombëtare mbi deficitet tregtare të vendit.
“Kjo do të jetë me të vërtetë epoka e artë e Amerikës. Ne do të kthehemi fuqishëm,” deklaroi ai gjatë ceremonisë së nënshkrimit, të mbajtur në Kopshtin e Trëndafilave në atë që e përshkroi si “Dita e Clirimit për SHBA”. Por Dita e Clirimit u kthye shpejt në ditën e indinjatës.
Mes reagimit të ashpër nga shumë vende të botës, protestave masive dhe tërmetit në tregjet e aksioneve, Trump tani kërkon durim. Në vazhdën e akuzave të Kinës se Washingtoni po i përdor tarifat si armë, presidenti amerikan, u ankua sërish duke e përshkruar SHBA-në si një viktimë të modeleve të tregtisë ndërkombëtare, ndërsa tarifat e tij i cilësoi si “revolucion ekonomik”.
“Kina është goditur rëndë. Ajo dhe kombe tjera na kanë trajtuar keq në mënyrë të paqëndrueshme. Por kjo nuk do të ndodhë më. Ne po rikthejmë vendet e punës dhe bizneset si kurrë më parë. Tashmë, flasim më shumë se pesë trilionë dollarë investime dhe rritje të shpejtë”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
“Ky është një revolucion ekonomik dhe ne do të fitojmë. Nuk do të jetë e lehtë, por rezultati përfundimtar do të jetë historik. Ne do ta bëjmë Amerikën të madhe sërish”, shtoi ai.
Top Channel