
Të hënën në mbrëmje, duke qëndruar përpara disa dhjetëra mbështetësve në një parking të një qendre tregtare në Ocala, Florida, kandidati demokrat për Kongres, Josh Weil, bëri një parashikim.
Mësuesi i matematikës në shkollën publike tha se brenda më pak se 24 orësh, ai do të hynte në histori duke përmbysur një distrikt të sigurt republikan – duke ndihmuar në marrjen e kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve nga republikanët.
“Agjenda e tyre për vitin 2025 përfundon këtu,” premtoi ai, duke kritikuar presidentin Donald Trump dhe përpjekjet e Elon Musk për të shkurtonte shërbimet dhe personelin qeveritar.
Vetëm një orë më parë, në një thirrje telefonike me votuesit, Randy Fine, kundërshtari i tij republikan në zgjedhjet e posaçme të së martës, kishte një mesazh të ngjashëm – megjithëse e paraqiti atë si një paralajmërim, jo si një premtim.
“Demokratët janë të zemëruar,” tha ai. “Ata do të bëjnë gjithçka që duhet për të ndalur agjendën e Donald Trump.”
Votuesit në gjysmën lindore të Floridës qendrore, nga Ocala deri në qytetet në veri të Daytona Beach, shkojnë në votime për të plotësuar vendin e lënë bosh nga Michael Waltz, i cili u zgjodh nga Trump për të qenë këshilltari i tij i sigurisë kombëtare.
Waltz kohët e fundit shkaktoi një bujë mediatike pasi aksidentalisht përfshiu një gazetar të njohur në një bisedë grupi me zyrtarë të lartë mbi sulmet e SHBA-së në Jemen.
Fakti që pozita e Waltz tani mund të jetë në rrezik është vetëm një nga arsyet pse zgjedhjet e së martës për një nga 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve janë kthyer në një çështje me rëndësi kombëtare.
Arsyeja tjetër është se Weil, pavarësisht se kandidon në një distrikt që Trump e fitoi me më shumë se 30 pikë në nëntorin e kaluar, mund të ketë një shans për fitore. Dhe nëse ai fiton, demokratët do të afrohen edhe më shumë drejt shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila është e ndarë ngushtë.
Pavarësisht rezultatit, gara gjithashtu mund të shërbejë si një test për motivimin e votuesve në fillim të mandatit të dytë të Trump – dhe të japë të dhëna mbi peizazhin politik për zgjedhjet e mesmandatit të vitit të ardhshëm.
Kjo është një nga dy zgjedhjet e posaçme në Florida të martën. Tjetra, në rajonin e panhandle të Floridës, do të përcaktojë një zëvendësues për Matt Gaetz, kongresmenin e zëshëm që Trump fillimisht e zgjodhi për të qenë prokuror i përgjithshëm, përpara se ai të tërhiqej mes akuzave për sjellje të pahijshme seksuale dhe shkelje etike. Në atë zonë, një republikan pritet të fitojë me lehtësi.
Por ky nuk është rasti këtu. Weil ka mbledhur rreth 10 milionë dollarë donacione për fushatën e tij, duke e tejkaluar ndjeshëm 1 milionë dollarët që ka mbledhur Fine, një senator i shtetit të Floridës.
Sipas një sondazhi të fundit, Weil është vetëm pak pas Fine. Një sondazh i brendshëm i një firme të respektuar republikane madje raportohet se e tregonte Weil përpara me 3 pikë.
Kjo ka shkaktuar shqetësim mes republikanëve.
“Nuk ka asnjë justifikim për një republikan që të mos e fitojë këtë garë,” tha Randy Ross, një aktivist konservator nga Florida që ka bërë fushatë për Trump në 2016 dhe 2024.
“E vetmja arsye e mundshme për humbje është nëse republikanët nuk janë të motivuar dhe nuk shkojnë të votojnë.”
Ross shtoi se votuesit republikanë duhet të kuptojnë se Fine do të mbështesë agjendën e Trump në Kongres – ndërsa Weil nuk do ta bëjë.
Për këtë arsye, disa nga figurat më të rëndësishme të partisë u përfshinë për ta ndihmuar.
Të enjten e kaluar, Trump iu bashkua kandidatit republikan në dy takime virtuale me votuesit. Të hënën në mbrëmje, kongresmeni i Floridës Byron Donalds dhe komentatori konservator Ben Shapiro mbajtën një aktivitet të tyre.
“Agjenda e Donald Trump është në fije të perit,” tha Shapiro. “Ky është një distrikt që thjesht nuk mund të bjerë në duart e demokratëve.”
Miliarderi i teknologjisë Elon Musk, aleat i afërt i Trump, mund të jetë duke bërë fushatë në Wisconsin për një garë të Gjykatës Supreme, por komiteti i tij politik ka dhënë më shumë se 75,000 dollarë për të mbështetur Fine në ditët e fundit. Grupet e tjera konservatore gjithashtu kontribuan, duke ndihmuar Fine të ngushtojë hendekun financiar me Weil.
Top Channel