
Të paktën 21 persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur nga një shpërthim i fuqishëm në një fabrikë fishekzjarresh në shtetin veriperëndimor të Indisë, Gujarat.
Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa mbeturinat dhe trupat e njerëzve u hodhën në një rreze të gjerë rreth fabrikës, në qytetin e Disa.
“Shpërthimi i dhunshëm që ndodhi në fabrikë shkaktoi shembjen e çatisë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i qeverisë së shtetit Rikishes Patel, duke vënë në dukje se fabrika funksiononte pa licencë.
“Pjesë të trupave u gjetën të shpërndara në një fermë që ndodhet 200-300 metra larg fabrikës”, tha një zyrtar lokal.
Fishekzjarret janë jashtëzakonisht të njohura në Indi dhe përdoren gjerësisht në festivale, ngjarje të të gjitha llojeve dhe në dasma. Shumë fabrika të fishekzjarreve funksionojnë në mënyrë të paligjshme, duke injoruar rregullat bazë të sigurisë, që rezulton në shpërthime të shpeshta vdekjeprurëse.
Në shkurt 2024, një shpërthim në një fabrikë fishekzjarre në shtetin qendror të Madhya Pradesh vrau 11 persona. Shtatë muaj më vonë, pesë persona të tjerë u vranë në një aksident të ngjashëm në shtetin verior indian të Uttar Pradesh.
Top Channel