
Marine Le Pen është një ikonë e së djathtës nacionaliste të Francës: një nga figurat politike më të njohura dhe më të pëlqyera të vendit, me agjendën e saj “Franca e Para”, anti-woke dhe kundër emigracionit.
Udhëheqësit e së djathtës ekstreme, të cilët aktualisht po fitojnë gjithnjë e më shumë mbështetje në pjesën më të madhe të Evropës, e shohin atë si “një nga grupi i tyre”, edhe nëse nuk pajtohen në çdo çështje.
Shumë prej këtyre liderëve dolën në rrjetet sociale të hënën, pasi Le Pen u ndalua të kandidojë për një post politik për pesë vjet, pasi u akuzua, së bashku me të tjerë, për përvetësimin e 2.9 milionë eurove (3.4 milionë dollarë; 2.5 milionë paund) nga fondet e BE-së për t’u përdorur në Francë nga partia e saj, Tubimi Kombëtar.
Për ta, kjo ishte një mundësi, jo vetëm për të treguar mbështetje për Le Pen, por edhe për të përdorur rastin e saj për të theksuar atë që ata e shohin si kauzën e tyre të përbashkët – një betejë kundër politikës tradicionale, e cila sipas tyre kërkon të heshtë ose të minojë agjendën e tyre nacionaliste.
Por për Le Pen, kjo mund të jetë fundi i ambicies së saj të kahershme për t’u bërë presidente e Francës. Ajo kishte një pozicion të fortë në sondazhe përpara zgjedhjeve të ardhshme, të planifikuara për pas dy vitesh.
Ajo dhe bashkëpunëtorët e saj politikë këmbëngulin se janë të pafajshëm. Ata kanë apeluar vendimin.
Në një shfaqje të bujshme solidariteti të hënën, kryeministri kontrovers i Hungarisë, Viktor Orban, shkroi në X në frëngjisht: *”Je suis Marine”* (“Unë jam Marine”).
Populisti Geert Wilders, lideri i partisë më të madhe politike në Holandë, postoi në X se ishte i sigurt që Le Pen do të fitonte apelin dhe se ajo do të bëhej presidentja e ardhshme e Francës.
Zëvendëskryeministri i linjës së ashpër të Italisë, Matteo Salvini, gjithashtu reagoi në rrjetet sociale:
“Ne nuk trembemi… përpara me shpejtësi të plotë, mikja ime!”
“Ata që kanë frikë nga gjykimi i votuesve shpesh kërkojnë ngushëllim nga gjykatat. Në Paris, ata e kanë dënuar Marine Le Pen dhe duan ta largojnë atë nga jeta politike”, shkroi ai.
Gjykatat franceze mohojnë se janë të politizuara. Ata thonë se puna e tyre është të administrojnë drejtësinë.
Shumë në Francë, 57% sipas një sondazhi nga “BFMTV”, besojnë se drejtësia u vu në vend në çështjen e Le Pen pa paragjykime.
Por një dyshim se gjykata ishte e njëanshme – e vendosur për të bllokuar suksesin politik të Le Pen, e cila e quan veten “zëri i popullit” – u përsërit nga mbështetësit e saj brenda dhe jashtë Francës të hënën.
Nga Rusia, madje edhe Kremlini u përfshi. Zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin, Dmitry Peskov, shprehu një interes të papritur për demokracinë, duke deklaruar se “Situata e Marine Le Pen përbën një shkelje të normave demokratike”.
Në disa vende evropiane, sistemet juridike kombëtare duket se janë të kapura në mes të një epoke të re përçarjesh dhe dyshimesh të thella në shoqëri – duke çuar në një luftë të ashpër mes politikanëve populistë dhe kundërshtarëve të tyre, të cilët akuzojnë njëri-tjetrin për përdorimin e drejtësisë për të mbrojtur interesat e tyre politike. Shembujt më të fundit janë Franca, Rumania dhe Hungaria.
Ashtu si edhe Shtetet e Bashkuara.
Donald Trump e quajti dënimin e Le Pen një “çështje shumë të rëndësishme”.
Duke folur në një ceremoni nënshkrimi në Shtëpinë e Bardhë të hënën, Trump shtoi:
“[Le Pen] u ndalua për pesë vjet dhe ajo ishte kandidatja kryesore.”
“Kjo më tingëllon si ky vend (SHBA), shumë si ky vend.”
Kur ai u përball me disa sfida ligjore përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor, Trump sulmoi të gjithë ata që ishin të përfshirë në proceset gjyqësore kundër tij, si dhe mediat që bënë investigime për të – të cilat muajin e kaluar i quajti sërish “të paligjshme”.
Por tani që është kthyer në Shtëpinë e Bardhë, kritikët e kanë akuzuar atë se po përpiqet të përdorë gjykatat për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve politikë.
Megjithatë, problemet e tij ligjore nuk e dëmtuan fatin e tij politik.
Në Francë, është e mundur që – pavarësisht se çfarë ndodh me të ardhmen politike të Le Pen – partia e saj do të përfitojë dhe do të rritet në popullaritet nga gjithë vëmendja mediatike rreth vendimit të së hënës, apelimit që do të vijojë dhe një ndjenjë sfide mes një pjese të madhe të votuesve kundër establishmentit francez, që ata besojnë se po përpiqet të shuajë vullnetin e popullit – duke u mohuar atyre kandidatin e preferuar për president.
Top Channel