Mbajti të burgosur thjeshtrin për 20 vite, policia publikon fotot e “Shtëpisë së tmerrit”

01/04/2025 17:06

Departamenti i Policisë në Connecticut, SHBA, ka publikuar fotot tmerruese të shtëpisë ku një djalë u mbajt i burgosur për 20 vite nga njerka e tij.

Sipas CNN, viktima, tashmë 32 vjeç, ia doli të arratisej shkurtin e kaluar, pasi i vuri flakën shtëpisë me letër dhe antiseptik, me shpresën se kjo do t’i hapte rrugën lirisë.

Autoritetet e gjetën atë të rraskapitur dhe ai peshonte vetëm 32 kilogramë dhe ishte 1.75 m i gjatë.

Burri i tha policisë se, përpara se të shpëtonte, ai e kalonte pjesën më të madhe të ditës në një dhomë të vogël, të siguruar me dry dhe dërrasa. Fotot e publikuara tregojnë brendësinë e “shtëpisë së tmerreve”, me gjurmë të dukshme zjarri në muret e nxira dhe mobiljet e djegura.

Megjithatë, përtej dëmeve të shkaktuara nga flakët, thuajse në çdo dhomë mund të shihen gjurmë të neglizhencës dhe braktisjes. Myku, mbeturinat, qilimat e pista dhe mobiliet e thyera duken në foto, duke dhënë një vështrim sesi jetonte gruaja dhe “i burgosuri” i saj.

Nuk është e qartë se në cilën nga hapësirat e paraqitura po mbahej djali, por në pamje mund të shihen drynat e thyer dhe zonat që u dogjën gjatë arratisjes së tij.

Njerka 56-vjeçare, e quajtur Kimberly Sullivan , arriti të shpëtojë nga shtëpia e djegur dhe tani akuzohet për rrëmbim dhe lëndim të rëndë trupor. Gruaja u deklarua e pafajshme në gjykatë dhe u lirua me kusht 300,000 dollarë .

“Sado të tmerrshme që janë akuzat, zonja Sullivan mbetet e pafajshme (derisa të provohet fajësia) dhe kjo nuk ndryshon pavarësisht se sa njerëz e urrejnë atë,” tha avokati i të pandehurës, z. John Kaloidis.

Siç raporton rrjeti amerikan, së fundmi kanë dalë informacione të reja nga shërbimet sociale të rajonit për rastin që ka tronditur SHBA-në.

Dalja e fundit e burrit larg shtëpisë ishte me të atin, kur ai ishte rreth 14 ose 15 vjeç. Pas vdekjes së babait të tij në vitin 2024, “robëria” u bë edhe më e ashpër. Sipas dëshmisë së tij, ai dilte vetëm një minutë në ditë për ta lënë qenin të qetësohej në oborrin e shtëpisë, ndërsa pjesën tjetër e kalonte i mbyllur në dhomën e tij.

Rreth një vit më parë, 32-vjeçari gjeti një çakmak në xhepin e xhaketës së vjetër të të atit. Më pas i lindi ideja të përdorte zjarrin për të shpëtuar nga kthetrat e njerkës.

Shefi i policisë së Waterbury, Fred Spagnolo tha se viktima ka “një rrugë të gjatë për t’u rihabilituar me shëndetin fizik dhe mendor”. Rasti ka tronditur policinë lokale, të cilët kanë mbledhur para për t’i siguruar rroba, libra dhe mallra të tjera elementare për 32-vjeçarin.

Kryetari i bashkisë së qytetit, Paul Pernerewski , tha se autoritetet lokale do t’i ofrojnë të gjithë mbështetjen që i nevojitej në përpjekjet e tij për të riintegruar dhe shëruar plagët e lëna nga një jetë e abuzimit dhe braktisjes.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta