
SHBA-ja deklaroi se pret që “të gjitha palët në terren” në Gaza të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar, edhe pse nuk konfirmoi nëse është duke kryer një verifikim të sajin lidhur me vrasjen e 15 mjekëve, punonjësve të mbrojtjes civile dhe një zyrtar të OKB-së nga ushtria e shtetit hebre.
Trupat e tyre të pajetë u gjetën në një varr masiv, të mbuluar me rërë. E pyetur për vrasjet, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Tammy Bruce insistoi se:
“Çdo gjë që ndodh në Gaza po ndodh për shkak të Hamasit”.Agjencia humanitare e OKB-së deklaroi se pesë ambulanca, një makinë zjarrfikëse dhe një automjet i OKB-së u goditën ne 23 mars dhe se 15 trupa, përfshirë ndihmësmjekë që ende kishin uniformat në trup, ishin mbledhur dhe varrosur së bashku. Lidhje ndërkombëtar humanitar ndalon shënjestrimin e civilëve në raste konflikti, e mbi të gjitha, bën thirrje për mbrojtje të vecantë për personelin mjekësor.
SHBA, furnizuesi më i madh i armëve i Izraelit, është gjithashtu e detyruar nga ligjet e veta që t`ua ndalojë përdorimin e armëve të saj ushtrive të huaja të cilat shkelin ligjin humanitar. Jonathan Whittall, kreu i agjencisë humanitare të OKB-së në Gaza, tha se varri masiv ishte “shënjuar” me një dritë emergjence nga një prej ambulancave të goditura në sulm.
“Është një tmerr absolut ajo që ka ndodhur këtu,” tha ai në platformën X, duke shtuar se “punonjësit e kujdesit shëndetësor nuk duhet të jenë kurrë një objektiv”.
Izraeli e rinisi fushatën e tij ajrore dhe tokësore në Gaza më 18 mars pas një ngecjeje të negociatave mbi një marrëveshje më të gjerë armëpushimi me Hamasin dhe që prej atëherë ka përshkallëzuar jo vetëm aksionet e tij në terren, por edhe thirrjet për zbrazjen e enklavës.
Top Channel