
Aleksandar Vuçiç njoftoi nisjen e konsultimeve për krijimin e qeverisë së re, por deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi e sfidoi hapur përpjekjen e kreut të shtetit serb për të shpalosur në sytë e botës një proces në dukje demokratik.
Përmes një letre drejtuar presidentit serb, Kamberi ia bën të qartë se ai vetë nuk do të marrë pjesë të konsultime, të cilat i konsideron një farsë.
Shaip Kamberi, deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë: E njoftova presidentin se nuk shoh të arsyeshme të bëhem pjesë e një procesi të rremë demokracie, sa për sy e faqe, ndërkohë që bashkëkombasit e mi mbeten pakica skajshmërisht e diskriminuar në sistemin shtetëror këto 13 vitet e fundit.
Deputetët shqiptarë ndër vite kanë marrë pjesë në konsultime, të cilat, konform legjislacionit vendor, i mban presidenti i shtetit, me të gjithë listat parlamentare që sigurojnë mandate përfaqësimi në Parlamentin Republikan. Përtej përpjekjeve tona politike e institucionale, asnjë qeveri e drejtuar nga ju dhe subjekti politik të cilin e keni drejtuar prej një kohe të gjatë, nuk e ka parë të arsyeshme që të bashkëpunojë me përfaqësuesit shqiptarë për realizimin e kërkesave tona legjitime.
Kamberi i rikujtoi edhe një herë në letër Vuçiç-it ankesat e shqiptarëve që nisin nga pasivizimi, mosnjohja e diplomave, fakti që punësimi i tyre në institucionet mbetet i pamundur apo që Presheva, Medvegja e Bujanoci mbeten komunat më të pazhvilluara në Serbi. Edhe opozitarë të tjerë në vend e shohin thirrjen e presidentit për konsultime si tallje me procedurat demokratike, e thonë se opsioni i vetëm që ata mund të pranojnë është një qeveri kalimtare e cila të ketë besimin e popullit.
Top Channel