
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka urdhëruar SPAK që të nisë hetime ndaj deputetes dhe ish-ministres së PS, Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj Artan Gaçit, duke pranuar ankimimin e bërë nga Fredi Beleri pak kohë më parë.
Sipas njoftimit të GJKKO, kjo gjykatë ka urdhëruar SPAK që të regjistrojë kallëzimin penal dhe të nisë hetimet për akuzat e shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprës penale të kryer në bashkëpunim.
Beleri kishte kërkuar shfuqizimin e vendimit të Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për mosfillimin e procedimin penal ndaj tyre.
Konkretisht: Shfuqizimin e vendimit/shkresës nr. 22920/1 prot.. datë 27.12.2024 8 Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Urdhërimin e regjistrimit të procedimit penal për veprën penale të kallëzuara dhe kryerjen e veprimeve hetimore përkatëse.
Sipas njoftimit, Gjykata çmon se kallëzimi i shtetasit Alfred Beleri për shtetasit Artan Gaçi, për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’ kryer në bashkëpunim të parashikuar nga nenet 186 dhe 287 të Kodit Penal dhe Olta Xhaçka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, deputete, për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ i parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, nuk ka një vendimmarrje, dhe se ankimi i paraqitur nga shtetasi Dhionisis Alfred Beleri, për këtë pjesë të kallëzimit, është i bazuar në ligj.
Në rastin konkret, Prokuroria e Posaçme duhet të regjistrojë procedim penal dhe të vazhdojë hetimet, mbi parashtrimet në kallëzimin e regjistruar me nr. 81/2023 se ish-Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime në lidhje me falsifikimin e dokumenteve zyrtarë, të cilat janë përdorur për regjistrimin e një pasurie të paluajtshme në pronësi të subjektit Foto Mëhilli, dhe kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve, konkretisht të familjarëve të të kallëzuarës Olta Xhaçka, e cila në kohën e marrjes së këtyre vendimeve nga Këshilli i Ministrave, ka ushtruar detyrën shtetërore të Ministres së Mbrojtjes në atë kohë, dhe funksionin politik të deputetes.
Shtetasja Olta Xhaçka thotë GJKKO, me mosveprimet e saj, duke mos deklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor, të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit, nuk i takojnë.
“Kjo shtetase, nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj”, thuhet në njoftimin e SPAK.
“Ndodhur në këto kushte. Prokuroria e Posaçme duhet te administrojë të gjithë praktiken e regjistrimit te shoqërive në pronësi të familjarëve të te kallëzuarës Olta Xhaçka, administrimin e praktikës së marrjes së statusit të investitorit strategjik të të kallëzuarit Artan Gaçi, administrimin e deklarimeve të të kallëzuarve në intervista që kanë dhënë publikisht nga të cilat rezultojnë që kanë pranuar krijimin e një shoqërie tregtare me ortake fiktive, kunatën e të kallëzuarës Olta Xhaçka, me qellim shmangien në dukje të konfliktit të interesit, deklarimet e te kallëzuarës Olta Xhaçka në të cilat pranon për dijeninë dhe dëshirën e saj për marrjen në përdorim pa shpërblim të plazhit publik, si dhe të kryejë veprime të tjera hetimore që do të dalin nga dinamika e hetimeve në mënyrë që kallëzimi i shtetasit Dhionisios Alfred Beleri, edhe për shtetasit Artan Gaçi, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe Pastrimi produkteve të veprës penale” kryer në bashkëpunim të parashikuara nga nenet 186 dhe 287 të Kodit Penal dhe Olta Xhaçka, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës parashikuar nga neni 248 Kodi Penal, të ketë një vendimmarrje”, thuhet më tej në këtë vendim të GJKKO.
Top Channel