
Charlotte Betty Webb, një punëtore e dekoruar në Bletchley Park, ku britanikët kishin arritur të deshifronin kodin e komunikimit të Gjermanisë naziste, ka vdekur në moshën 101-vjeçare.
Ajo ishte një nga individët e pakta të mbijetuara që punoi në programin që ndryshoi rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore. Roli i matematikanit të madh Alan Turing ishte kryesor.
Webb i ishte bashkuar përpjekjes britanike të deshifrimit në moshën 18-vjeçare, raporton BBC. Ajo madje punoi për të thyer komunikimet e koduara të japonezëve në emër të amerikanëve.
Në vitin 2020, Webb i tha BBC-së se ajo “nuk kishte dëgjuar kurrë për Bletchley”, qendra britanike për thyerjen e kodeve të kohës së luftës. Puna atje ishte top sekret.
Më vonë, ajo vetë tha së fundmi se deri në vitin 1975, kur u hoqën kufizimet, ajo nuk mund t’u tregonte as prindërve se ku ishte dhe çfarë bënte.
Në vitin 2021, asaj iu dha nderimi më i lartë i Francës, Legjioni i Nderit. Ishte një vendim i marrë në vitin 2014 nga presidenti i atëhershëm François Hollande për të nderuar 6000 britanikë që kishin kontribuar në çlirimin e Francës.
Kur lufta në Evropë përfundoi në maj të vitit 1945, dhe ndërsa vazhdonte në Paqësor, ajo shkoi të punonte në Pentagon në SHBA. Atje punoi në dekodimin e mesazheve japoneze.
Pas luftës ka punuar si sekretare në një shkollë. Webb nuk mundi t’u shpjegonte punëdhënësve të tjerë se cilat ishin detyrat e saj të mëparshme për shkak të fshehtësisë.
Top Channel