
Gjykata e Durrësit vendosi sot masat e sigurisë për turistët irlandezë Kevin Stack, 42 vjeç, dhe partneren e tij Kate Connolly, të cilët u ndaluan nga policia më 28 mars, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes” në bashkëpunim.
Sipas vendimit gjyqësor të dhënë nga gjyqtarja Suela Xhani, shtetasi Kevin Stack do të qëndrojë në masën arrest në burg, ndërsa për Kate Connolly është caktuar një masë alternative. Ajo do të mbahet në paraburgim deri në depozitimin e një garancie pasurore prej 5000 eurosh, të cilën duhet ta paguajë brenda pesë ditëve. Pas këtij afati, nëse shuma paguhet, Connolly do të lirohet, por do të detyrohet të paraqitet pranë Policisë Gjyqësore një herë në dy muaj.
Mbrëmjen e së enjtes, çifti irlandez dorëzoi në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, një shumë prej 41 400 eurosh. Ata deklaruan se e kishin gjetur më 26 mars, rreth orës 15:30, pranë një supermarketi në lagjen nr. 13, Plazh Durrës.
Megjithatë, kamerat e sigurisë zbuluan se deklarimi i tyre nuk ishte i vërtetë, duke ngritur dyshime për përfshirjen e tyre në një vjedhje. Ata ia morën shumën e parave dy të rinjve në plazh, të cilët e gjetën pasi u ra pronarit të tyre.
Pasi e panë skenën e rënies së parave dhe marrjes nga të rinjtë që i gjetën rastësisht ata vendosën të përfitojnë padrejtësisht, duke deklaruar se shuma u përkiste atyre. Në këmbim Stack u dha 500 euro shpërblim dy të rinjve.
Më pas çifti u largua nga hoteli dhe Durrësi në drejtim të Shkodrës. Policia e Durrësit zbuloi lëvizjet e tyre përmes kamerave të sigurisë dhe GPS-it të makinës dhe bashkëpunoi me policinë e Shkodrës për shoqërimin e tyre. Pas shoqërimit të tyre në Durrës, policia vendosi ndalimin e çiftit për vjedhje në bashkëpunim.
Gjykata urdhëroi ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit nga Policia Gjyqësore dhe Prokuroria, ndërsa të dy të dyshuarit kanë të drejtë ta ankimojnë masën e sigurisë në Gjykatën e Apelit brenda pesë ditëve nga njoftimi i vendimit.
Top Channel